Institucionet e Kosovës, gjatë ditës së djeshme ndërmorën një aksion për zëvendësimin e tabelave informuese për vendbanime në pjesën veriore të vendit.
Në këtë aksion u hoqën tabelat e vjetra, që paraqisnin emërtimet vetëm në serbisht, gjegjësisht në alfabetin cirilik dhe atë latin.
E tabelat e reja paraqesin emrin e vendbanimit në shqip dhe në serbisht, por jo në alfabetin cirilik.
Megjithatë, duket se kjo nuk u ka pëlqyer serbëve të kësaj ane, pasi në së paku një rast, një tabele i ishte fshirë emërtimi në gjuhën shqipe, duke e lënë emrin e fshatit Grabovc vetëm në serbisht.Për këtë çështje ka reaguar ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Ai tha se kjo iniciativë duhet të bëhet vetëm duke konsultuar Komisionerin e Gjuhëve dhe duke e interpretuar pozitivisht Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
“Mbi iniciativën e fundit për zëvendësimin e tabelave zyrtare që tregojnë emrat e vendeve në veri të Kosovës, u bëj thirrje autoriteteve që ta zbatojnë procesin vetëm pas konsultimit me Komisionerin e Gjuhëve dhe duke interpretuar pozitivisht Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”.
Szunyog tha se “kjo do të thotë të merren parasysh komunitetet e prekura”.
Dje, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, tha se dikasteri që ai drejton ka marrë përsipër që në veri dhe në tërë territorin e Kosovës, të largojë të gjitha shenjat e komunikacionit të shtetit të Serbisë, duke zëvendësuar kështu me shenjat zyrtare të vendbanimeve konform ligjeve të Kosovës.
“Do të vazhdojmë edhe ditëve në vijim deri në zëvendësimin e të gjitha shenjave”, u shpreh dje ai.