BE e SHBA-qeverisë së Kosovës: Duhet koordinim me ne për veprimet në veri

Kryetari shqiptar i komunës së Veriut të Mitrovicës ka kërkuar lirimin e një objekti komunal në këtë pjesë të qytetit në të cilin funksionojnë disa zyra që financohen nga Serbia, të cilat për Prishtinën zyrtare janë struktura paralele. Ky vendim ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri, prandaj po kërkohet që çdo veprim në veri të jetë i koordinuar me autoritetet ndërkombëtare.

Zyrtarë të komunës së Veriut të Mitrovicës, thanë se i kanë dorëzuar nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiç, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” një ndërtesë në pronësi të komunës, nëse nuk sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm për shfrytëzimin e saj.

Lista Serbe tha përmes një deklarate se ky vendim mund të rrisë tensionet. “Pas ftesës së komunitetit ndërkombëtar që kryetarët e paligjshëm të komunave të punojnë nga lokacione alternative, ata shkuan një hap më tej dhe duan të na i marrin edhe hapësirat tona”, thuhet në një deklaratë të Listës Srpska. Në ndërtesën që po kërkohet të lirohet, punojnë institucione që financohen nga qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës.

I shqetësuar për rritje të mundshme tensionesh në veri u shpreh edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. “Jemi të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale”, tha zëdhënësi i BE, ndërsa ritheksoi kërkesat për koordinim për të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Zëdhënësi Stano tha se “çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të trajtohet në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe në kontekstin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Edhe ambasada e SHBA-ve në një reagim të saj, ka këshilluar Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri, që të përmbahen nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund të rrisë tensionet. “Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, tha Ambasada amerikane në Kosovë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ritheksuan rëndësinë e hapave që duhet të ndërmerren për uljen e tensioneve në veri. Plani i Bashkimit Evropian parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve shqiptarë të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në veri, ku do të merrnin pjesë serbët lokalë. Qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe ka nisur punën e hartimit të një udhëzimi administrativ që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Pas këtyre veprimeve, qeveria e Kosovës i kërkoi BE-së që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës që u vendosën për shkak të situatës në veri dhe moskordinimit të veprimeve me bashkësinë ndërkombëtare. /DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share