Përkrahje të fortë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve thotë të ketë marrë nga ministrat e Jashtëm të BE-së përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borreli.
Gjatë një takimi jorformal në New York, ai i ka njoftuar ministrat për rrjedhën e takimit të 14 Shtatorit ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, ndërsa ka shprehur siç ka thënë shqetësimin për mungesën e zbatimit të marrëveshjes.
“Ajo që duam dhe ajo që kërkojmë ne është të fillohet me zbatimin duke u bazuar në propozimin tonë dhe pa vonesa, këtu përfshihet edhe kërkesa për të dyja palët që t’i zbatojnë plotësisht dhe pa vonesa, marrëveshjet e kaluara të dakorduara në dialog”.
Pas këtij takimi, Bashkimi Evropian nëpërmjet një komunikate për media ka bërë thirrje që puna për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe të nisë pa ndonjë shtyrje të mëtejme apo parakushte.
“BE-ja përkrah përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajçak, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpër dialog të lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre”.
Nënsekretari i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, Derek Chollet ka ka zhvilluar një takim në New York me Presidenten Vjosa Osmani ku ka theksuar nevojën e depërshkallëzimit të tensioneve.
Një ditë pasi Kryeministri Albin Kurti akuzoi emisarin e BE-së se ishte në koordinim me Serbinë në takimin e 14 Shtatorit, Lajçak në një reagim në platformën X ka thënë se BE-ja dhe SHBA-ja kanë të njëjtin qëndrim për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe janë në një vijë për të ardhmen përpara duke ia bashkangjitur një fotografi të takimit të tij me Chollet dhe Escobar.
Tv Klan