BDI përshëndet dhe mirëpret Vendimin ekzekutiv të Presidentit Bajden për Marrëveshjen e Ohrit dhe të Prespës
Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet dhe mirëpret vendimin ekzekutiv të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për konfirmimin e vlefshmërisë së masave ndëshkuese amerikane ndaj të gjithë atyre që nuk do të respektojnë përmbajtjen e Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe atë të fqinjësisë së mirë.
Ky vendim është shprehje e rëndësisë jetike që kanë këto marrëveshje me frymën paqësore që e reflektojnë dhe cënimi i tyre padyshim se lëkund themelet e paqes dhe paraqet kërcënim për vlerat e demokracisë së mirëfilltë.
Marrëveshja e Ohrit ajo e Prespës dhe fqinjësisë së mirë, janë edhe fryte të ndërmjetësimit objektiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë gjithë këtyre viteve në mbështetje të vendit tonë dhe mbarë rajonit, shtigje që mundësuan integrimin tonë në NATO dhe afrimin si asnjëherë më parë para dyerve të Europës.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë në mënyrë autonome dhe brenda Frontit Europian të jetë gardian i zbatimit të këtyre marrëveshjeve historike, ashtu siç kishte rol vendimtar në miratimin dhe zbatimin e tyre.
Apelojmë që këtë ta bëjnë të gjithë protagonistët e politikës vendore pasi vetëm respektimi i këtyre marrëveshjeve është garancë e paqes, stabilitetit dhe ecurisë zhvillimore të vendit.