BDI: Me Pol Uilijamsin nisim legalizimin e parimit fituesi me fituesin!

Një nga autorët e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, amerikani Pol Uilijams, do të jetë njëri nga ata që do të angazhohet nga BDI-ja për të saktësuar zgjidhjen ligjore ose kushtetuese për Marrëveshjen e Majit, respektivisht legalizimin e koalicionit ndërpartiak sipas parimit fituesi me fituesin.

Kjo është konfirmuar gjatë press-konferencës së sotme të grupit parlamentar të koalicionit Fronti Evropian nga koordinatori, Blerim Bexheti.

“Bëmë publike se është angazhuar një nga ata që përgatitën Marrëveshjen Kornizë dhe fryma e kësaj marrëveshje të saktësohet me zgjidhje ligjore ose kushtetuese sipas parimit fituesi me fituesin respketivisht partitë që kanë legjitimitetin etnik dhe jo rastësisht ne si Fronti Evropian kemi qëndrimin se kjo Qeveri s`ka legjitimitet” – ka deklaruar Bexheti.

Deklarata e Bexhetit vjen pas takimit të fundjavës së kaluar të BDI-së ku kjo parti miratoi tri Rezoluta – që kanë të bëjnë me respektimin e parimit të legjitimitetit në kontekst të dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit dhe për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjeve të Ohrit, Prespës dhe Traktatit të Miqësisë me Bullgarinë.

Pol Uilijams është profesor i së drejtës dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Amerikan, ligjëron në Fakultetin për marrëdhënie ndërkombëtare në Kolegjin Juridik në Uashington.

Ai është President dhe bashkëthemelues i Grupit për të drejta ndërkombëtare publike dhe politikë (PILPG) – organizatë joqeveritare që u ndihmon vendeve dhe qeverive në negociatat e paqës, në rregullimin e legjislativës pas konflikteve dhe asiston në përgatitjen e dokumentacionit për ndjekje penale të kriminelëve të luftës.

Krahas në Maqedoni ku ishte angazhuar në negociatat për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, në CV-në e tij impozante janë edhe angazhimet në negociatat për Marrëveshjen e Dejtonit, Marrëveshjes së Rambujesë dhe negociatat Podgoricë – Beograd për Serbinë dhe Malin e Zi.

Pol Uilijams, si këshilltar, ka marrë pjesë edhe në negociatat për Nagorno – Karabakh, negociatat në Oslo dhe Gjenevë për luftën civile në Sri Lankë dhe në bisedimet e paqës në Somali./tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share