Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka reaguar pas mesazheve me përmbajtje kërcënuese që u raportua se kanë marrë deputetët e kësaj partie.
“Jemi dëshmitarë të kërcënimeve serioze dhe mesazheve të dhunshme drejtuar deputetëve të BDI-së, të cilat jo vetëm janë kërcënim për anëtarët tanë, por edhe sulm direkt ndaj vlerave dhe institucioneve demokratike të vendit tonë. Këto incidente tregojnë shkallën e lartë të intolerancës dhe urrejtjes që përhapet në të gjithë shoqërinë tonë dhe kjo duhet të dënohet nga të gjithë.
Jemi dëshmitarë të një fushate të organizuar dhe mirë të menduar shpifjesh dhe kërcënimesh ndaj BDI-së, qëllimi i së cilës është të mbulojë dështimet dhe gabimet e mëdha të Qeverisë së re në muajt e parë të mandatit të saj. Me akuza të sajuara dhe veprime të dhunshme, ata përpiqen të largojnë vëmendjen e publikut nga problemet reale dhe rezultatet katastrofike të politikave në pushtet.
BDI qëndron fuqishëm prapa parimeve të saj dhe nuk do të lejojë që këto kërcënime të lëkundin përkushtimin tonë për drejtësi, paqe dhe stabilitet në vendin tonë. U bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të hetojnë këto incidente dhe të nxjerrin para drejtësisë të gjithë përgjegjësit e kësaj fushate terrori dhe frikësimi. Demokracia duhet të fitojë mbi urrejtjen dhe dhunën”, thuhet në reagimin e BDI-së.