REFUZOHET MENJËHERË NGA OPOZITA: S’KA FRONT ME PARTI PA VLERA EVROPIANE
Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, u bëri thirrje deputeteve të opozitës, siç i quan ai, pro-evropian që të bashkohen në një front pro-eu.
– Tani që kemi nisur zyrtarisht negociatat me Bashkimin Evropian, ne bëjmë thirrje për formimin e një fronti të gjerë pro-evropian të partive politike, të OJQ-ve, të mediave dhe të qytetarëve. Me këtë rast i bëjmë thirrje krahut evropian brenda opozitës që të bëjë gjithçka që mos të rrezikohet anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe të mos ndalohet rruga e saj evropiane, deklaroi Arbër Ademi deputeti i BDI-së.
E refuzimi nga ana e partive opozitare ishte i menjëhershëm dhe i qartë… Nuk bashkëpunojmë me partinë që më së paku ka vlera pro-evropiane.
– Ata gjithmonë japin ide që nuk i realizojnë. Një kohë thoshin se do të bëhen parti e gjelbër e tani janë parti anti-e gjelbër. Kjo është një koncept i politikës që ata e bëjnë.
– Nuk do të komentoj deklarata të kolegut, Arbërit se do të krijojnë një front pro-evropian por e pamë se me ata jemi shumë larg Evropës, deklaroi Vllado Misajllovski, Nënkryetar I VMRO DPMNE-së.
– Ne si Lëvizje Besa gjithmonë kemi qenë dhe mbetemi të përkushtuar, konzistent në rrugën evropiane. Mirëpo kur një thirrje vjen nga një subjekt politik i cili për 20 vite në qeverisje nuk ka bërë asgjë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për këta 20 vite nuk ka një funksionar të vetëm të tyre të cilin e ka përfundu një procedurë gjyqësore, a e dimë të gjithë se vërejtjet kryesore të cilat i kemi nga institucionet evropiane kanë të bëjnë pikërisht me sistemin e drejtësisë dhe me luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Prandaj thirrja nga Bashkimit demokratik për integrim më duket vetëm një thirrje boshe, një thirrje për ta fshehur krimin dhe korrupsionin që e kanë brenda vete, deklaroi Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.
E kontaktuam edhe Aleancën për Shqiptarët, por nga atje askush nuk u përgjigj në thirrjen e Arbër Ademit./KlanMacedonia/