Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një reagimi ka shprehur shqetësimin e saj për mungesën e sotme të nënkryetarit të VMRO-së, njëhersh deputet, Aleksandar Nikollovski dhe zëvendësit të tij, Vllado Misajllovski në mbledhjen e Këshillit të Evropës në Strasburg, ku do të votohet për Rekomandimin për anëtarësim të Kosovës në Ansamblenë Parlamentare të KE-së.
“VMRO-DPMNE përveç që po planifikon izolimin me Bashkimin Europian, të njëjtën e dëshiron edhe me vendet fqinje të Maqedonisë së Veriut.
Pas marrëdhënieve të ngrira me Bullgarinë fqinje, VMRO dhe Mickoski dëshirojnë ta kthejnë vendin në gjendjen e para vitit 2008.
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për politikat përçarëse dhe izoluese të VMRO-së dhe Mickoskit, ndërkohë që hapur po proklamon politikat ruse dhe serbe në raport me Republikën e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje opozitës shqiptare të mbështet politikat dhe qëndrimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe jo të promovojë politikat proruse që duan destabilizim të Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit në përgjithësi.
Me këtë rast, i bëjmë thirrje qytetarëve të mbështetin masovisht kandidaturën e Bujar Osmanin për President shteti dhe Frontin Evropian si koalicion të vetëm zgjedhor që vazhdon rrugën për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Europian dhe për bashkëpunim të ngushtë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, thuhet në reagimin e BDI-së.