BBC: Si u bë Sylvinho hero i shqiptarëve

Sylvinhos kurrë nuk i kishte shkuar mendja se do ndodhej para laptopit dhe do të merrte shënime nga ndeshja e Wycombe Wanderers në Ligën e Parë të Anglisë.

Pas darkës me kryetarin e Federatës Shqiptare të Futbollit në Milano, ish-mbrojtësi i Arsenalit, Barcelonës dhe Manchester Cityt ishte pajtuar që të merrte drejtimin e Shqipërisë.

BBC në një artikull i ka kushtuar vëmendje të veçantë Sylvinhos dhe karrierës së tij me Shqipërisë.

Në fillim të vitit 2023, ai shkoi në zyrën e tij në Tiranë bashkë me ish-mbrojtësin e Cityt, Pablo Zabaletan dhe ish-mesfushorin e Middlesbrough Doriva si asistentë të tij, përcjell gazeta online Reporteri.net.

Në total ata shikuan 240 sekuenca të lojërave që fillimisht të bënin listën prej 70 lojtarëve, pastaj ta shkurtonin në 39 dhe krejt në fund të 23 lojtarëve për ndeshjen hapëse kundër Polonisë në kualifikimet për Euro 2024.

Në mesin e atyre që i shikoi ishte edhe anësori i Wycombes, Anis Mehmeti.

Ai kurrë nuk kishte luajtur për përfaqësuesen e Shqipërisë, por u ftua si pjesë e procesit të rindërtimit që kishte nisur Sylvinho nga dita e parë.

“Zaba (Zabaleta) luajti shumë gjatë në Angli, pra ende ka kontakte dhe na solli disa informacione për Mehmetin”, thotë Sylvinho për BBC Sport.

“Nisi ta shikonte në Ligën e Parë, por pas kësaj, ai nënshkroi me Bristol Cityn në Championship dhe kjo na nxiti që të mendonim: ‘Ok, këtu po shohim potencial, të tjerët po e shohin gjithashtu’”.

“E dinim që ka shumë shqiptarë si ai që luajnë jashtë”, ka shtuar braziliani.

Puna e palodhshme nisi të vërehej.

Ani pse humbi ndeshjen e parë 1 me 0 nga Polonia, Shqipëria ishte e pamposhtur pastaj deri në fund të kualifikimeve, duke përfunduar e para në grup dhe siguroi Evropianin kur kishte mbetur edhe një lojë.Ky sukses e shndërroi Sylvinhon në hero të shqiptarëve.

Është vetëm hera e dytë në histori të Shqiponjave që janë në Euro. Debutuan në vitin 2016.

“Jetojnë një hotel dy kilometra larg ndërtesës së Federatës, prandaj shpesh eci kur kthehem dhe kaloj te një park i bukur dhe takohem me fansat. Ata zakonisht më afrohen dhe më thonë: ‘Respekte, Mister’”, qeshet Sylvinho.

BBC vlerëson se Shqipëria nuk do ta ketë të lehtë në Gjermani, sepse në grup ka Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.

“Nuk shkojmë atje sa për pjesëmarrje”, thotë Sylvinho. “Puna jonë nuk ka përfunduar, nëse kemi ndonjë mundësi për të avancuar në fazën e nokautit, do të luftojmë ashtu siç luftuam në kualifikime”, ka shtuar ai.

Anësori i përkryer në ligën e Koresë

Sylvinho kishte punuar si asistent në kombëtaren e Brazilit mes korrikut 2016 dhe prillit 2019 dhe ka njohur për futbollin e kombëtareve.

Mirëpo me Shqipërinë ishte përvojë krejt tjetër.Një prej vendimeve të para në krye të Shqipërisë ishte braktisja e formacionit 3-5-2 që përdorej nga paraardhësit e tij dhe kalimit në 4-3-3.

Kjo nuk ishte vetëm një çështje me të cilën nuk ishte mësuar te Brazili: i duhej një anësor që luan me këmbë të majtë me qëllim që të funksiononin gjërat. Por, këtë anësor nuk e kishte Shqipëria.

Kështu, Sylvinho dhe stafi i tij hyn në databazën e FSHF-së për të gjetur një lojtar me këto karakteristika. Erdhën deri te dy emra – njëri prej tyre ishte 29-vjeçari Jasir Asani, i cili luan në Korenë e Jugut.

“Po shikonim video të tij sa ishte në Hungari dhe thash: ‘Kush është ky?’ Kishte gjithçka që doja: ishte i mirë në situata një me një, mund të shutonte dhe ishte i shpejtë”, jep detajet Sylvinho.

“Pra, disa të shtune ne vinim në zyre në orën 9 të mëngjesit dhe shikonim ndeshjet e tij për shkak të zonës kohore”, ka shtuar braziliani.

Në fund, ia vlejti.

Asani doli të ishte fantastik. Lojtari i lindur në Maqedoninë e Veriut kishte ndikim të madh dhe përfundoi kualifikueset me tre gola dhe dy asistime.

“Dinë si të shutojnë nga distanca”

Syvinho fort beson se krejt këto do të ishin të pamundura sikur të mos vendoste që ta linte familjen në Porto të Portugalisë dhe të shpërngulej në një dhomë hoteli në Tiranë.

“Ata më thanë se e kuptuan që në momentin kur i njoftova se do të doja të jetoja këtu. Më ka lejuar që ta kuptoj plotësisht identitetin lokal dhe të përqendrohem 100 për qind në punë”, ka thënë Sylvinho.

Stili sulmues dhe agresiv ka mahnitur edhe fansat më skeptikë, të cilët nuk ishin të bindur nga puna e tij e mëparshme në Lyon dhe Corinthians.

Shqipëria ka bërë famë me numrin e golave nga distanca.

“Ata dinë si të shutojnë nga distanca, e kanë brenda vetës dhe u pëlqen, prandaj i inkurajoj që të shutojnë. Nëse ata e ndjenjë se është gjëja më e mirë që mund të bëjnë, ju lutem shutoni drejt portës!

Lexo gjithashtu
Total
0
Share