Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë ditën e djeshme se propozimi i Bashkimit Europian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e Bashkimit Europian “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo situatë e krijuar ka marrë vëmendjen e mediave të huaja prestigjioze, siç është britanikja BBC News.
Në një artikull të publikuar pak orë më parë, BBC News shkruan se “BE dhe Serbia kanë paralajmëruar se dhuna mund të shpërthejë në Kosovë pasi bisedimet e ndërmjetësuara mes Kosovës dhe Serbisë kanë dështuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi targat serbe të makinave”.
Teksa pritej që vendimi të hynte në fuqi sot, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Policia e Kosovës planifikon të vendosë gjoba prej 150 € për mbajtësit e targave të lëshuara nga Serbia.
Nga ana tjetër, SHBA ka kërkuar që ky veprim të vonohet dhe ka kërkuar lëshime nga të dyja palët për të ruajtur paqen.
BBC News shkruan se “Kosova argumenton se targat që i paraprinë luftës së territorit të vitit 1999 për pavarësi nga Serbia nuk mund të jenë më të vlefshme. Autoritetet e Kosovës thonë se 50,000 serbët në veri të Kosovës, të cilët pranojnë vetëm institucionet lokale serbe, tani duhet të përdorin targat e Kosovës të lëshuara në Prishtinë”.
Ditën e djeshme, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se bisedimet shumëorëshe nuk kishin arritur të zgjidhin mosmarrëveshjen e gjatë.
Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se kjo situatë “është në prag të konfliktit”. Ai gjithashtu ka kërkuar nga policia speciale e Kosovës që të mos tentojë të zbatojë gjobat. Oficerët e policisë serbë etnikë dhanë dorëheqjen në fillim të këtij muaji në shenjë proteste ndaj vendimit të targave të Prishtinës.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price deklaroi se të dyja palët duhet të bëjnë lëshime për të mos rrezikuar dekada të paqes së fituar me vështirësi në një rajon të brishtë.
Në Kosovë mbeten të dislokuara rreth 3,700 trupa paqeruajtëse të NATO-s (forcat e KFOR-it) për të parandaluar çdo shpërthim të mundshëm.
“Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje. Përshkallëzimi duhet të shmanget”, shkroi shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në Twitter./tvklan.al