“Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërimi Presidentit rus, Vladimir Putin, para takimit me NATO në lidhje me një bazë detare në vend”.
Kështu e nis shkrimin e saj media britanike Express pas lajmit që bëri publik kryeministri Edi Rama për një bazë navale të NATO-s në Porto Romano. Të hënën (11 Korrik) Express i ka bërë jehonë takimit të kryeministrit Edi Rama dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, që pritet të zhvillohet të mërkurën ku do të diskutohet edhe propozimi.
“Lëvizjet e fundit panë që Shqipëria, një anëtare e NATO-s që nga viti 2009, filloi punën për shndërrimin e një baze ish-sovjetike në një bazë ajrore të NATO-s, duke forcuar lidhjet e Tiranës me Brukselin. Rama do të takohet me Stoltenberg të mërkurën e kësaj jave për të diskutuar projektin pas një njoftimi më 1 Korrik”, shkruan Express.
Porti do të vendoset në Porto Romano të Durrësit. Express shkruan se parashikohet që ky projekt të financohet nga shteti shqiptar dhe NATO.
“Në Maj, Rama tha se qeveria e tij ka ofruar bazën detare të Pashalimanit për NATO-n”, shkruhet më tej.
Kjo bazë ishte e vetmja e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe gjatë viteve 1950, kur Shqipëria komuniste ishte e lidhur ngushtë me Moskën. Por pas rënies së komunizmit, baza e Pashalimanit u rindërtua me ndihmën e Turqisë e cila ruajti të drejtën e përdorimit të saj.
Marina shqiptare e përdor sot bazën për disa operacione dhe stërvitje. Express i ka dhënë zë edhe transformimit të bazës ajrore në Kuçovë që më herët njihej si qyteti Stalin. Rinovimi i bazës do të kushtojë rreth 40 milionë Paund dhe do të bëhet funksional në vitin 2023.
Baza do të shërbejë si një depo për municionet, si dhe do të veprojë si një qendër furnizimi me karburant. Aktualisht po punohet për rikthimin e pistës dhe kullës së kontrollit në përdorim të plotë operacional.
“Pas gati 50 vitesh izolim, Shqipëria doli dhe u kthye drejt Perëndimit, duke iu bashkuar aleancës në vitin 2009 dhe duke shpresuar për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, megjithëse ka qëndruar në dhomën e pritjes së bllokut për mjaft kohë”, thuhet në shkrim.
“Sipas Globalfirepower.com, Shqipëria ka aktualisht 8000 personel aktiv në radhët e saj ushtarake. 500 rezervistë janë gjithashtu në dispozicion. Ushtria ka rreth 76 automjete të blinduara. Buxheti i saj vjetor i mbrojtjes kuotohet në 160 milionë Paund në vit”, përfundon shkrimi i Express.
Projekti fillestar parashikon që zona ushtarake brenda portit tregtar të Durrësit të zërë një sipërfaqe prej 50 ha, ndërsa vetë kalata të ketë një kapacitet prej 800 metër linear, me një thellësi 13 metër në mënyrë që të mund të ankorohen dhe luftanije të mëdha.
Ndërtimi i kësaj baze është diskutuar dhe në samitin e fundit të NATO-s nga Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, çka mësohet se ideja nuk ka kaluar pa vëmendje. Kjo është dhe arsye përse u dakordësua për takimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO dhe kreut të qeverisë shqiptare.
Nëse do të realizohej ky projekt do ta kthente Porto Romanon në një pikë kyçe ushtarake për lidhjen mes Europës Lindore dhe asaj Perëndimore./tvklan.al