Bastiset shtëpia e Sterling, grabitësit i drejtojnë armën fëmijëve

Raheem Sterling largohet nga grumbullimi i kombëtares angleze

Momente aspak të mira për sulmuesin e kombëtares angleze, Raheem Sterling. 27-vjeçari braktisi grumbullimin e ekipit për të qenë sa më pranë familjes së tij, në qendër të vëmendjes së hajdutëve. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, një grup personash të armatosur kanë bastisur shtëpinë e tij në Angli, duke e detyruar futbollistin që të marrë direkt avionin drejt Londrës për t’i qëndruar pranë familjes. Sterling është baba i tre fëmijëve të vegjël.

Dramat e fëmijërisë së futbollistit me origjinë xhamajkane, pasi në moshën 2-vjeçare i vranë babain, duket se ka qenë edhe shtysa e madhe që e ka detyruar të largohet nga kombëtarja.

Ish-lojtari i Liverpool dhe Manchester City nuk ishte në dispozicion të trajnerit Southgate as në duelin e 1/8-ave kundër Senegalit dhe vështirë se mund të rikthehet sërish në Katar, për t’iu bashkuar skuadrës.

Gjithsesi, kjo varet gjithmonë se si do shkojë rrugëtimi i tyre në Kupën e Botës, pasi në rast se Anglia do të shkojë në gjysmëfinale apo më mirë akoma në finale, Southgate mund të rikthente në ekip Sterling, mjaft i domosdoshëm për skemat e tij. Futbollisti i Chelsea shënoi një gol dhe asistoi në fitoren 6-2 që Anglia siguroi ndaj Iranit në fazën e grupeve, çka tregon edhe rëndësinë e këtij lojtari për kombëtaren angleze.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share