Klubet kosovare do të rikthehen në garat evropiane në sezonin 2022/23. Në fakt, Sigal Prishtina dhe Trepça kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në garat e FIBA Europa Cup.
Dhe, Federata e Basketbollit të Kosovës e ka miratuar këtë vendim të dy klubeve kosovare.
“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) sot ka marrë vendim që ta miratojë shprehjen e interesimit të KB Trepça dhe KB Sigal Prishtina për të aplikuar për pjesëmarrje në garat e FIBA Europe Cup për edicionin 2022/23. Këtë vendim Bordi i FBK-së e ka marrë pas përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga FBK dhe FIBA Europe Cup nga KB Trepça dhe KB Sigal Prishtina për pjesëmarrje në edicionin e ri të kësaj gare evropiane”, njofton shtëpia e basketbollit kosovar.
Trepça është finaliste e play-offit në Art Motion Superligën e Kosovës dhe fituese e Kupës së Kosovës për edicionin 2021/22, kurse Sigal Prishtina është gjysmëfinaliste e play-offit për edicionin 2021/22.
Për Trepçën kjo do të jetë paraqitja e parë në garat e FIBA Europe Cup, kurse Prishtina ka arritur të hyjë në Top 16 të kësaj gare, duke pasur suksesin më të madh deri më tani në garat evropiane.