RAMADANI: PËR KËTË VIT KEMI ASPIRATA MË TË MËDHA
Dy xhiro para përfundimit të sezonit vjeshtor në elitën e basketbollit vendor në kategorinë e meshkujve, skuadra “Çairi 2030” pozicionohet e pesta në renditjen tabelore me 7 fitore e 4 humbje që paraqet sukses të jashtëzakonshëm për ekipin e trajnerit Erhan Ramadani.
Me fitoren kundër Ohrit në transfertë 74-64, klubi i basketbollit “Çairi 2030” pas 11-të xhirove të zhvilluara, me 7 fitore dhe 4 humbje vazhdon të mbetet surpriza më këndshme në elitën e basketbollit vendor. Sukseset janë inkurajuese pasi është ky vetëm sezoni i dytë që garojnë në elitën e basketbollit vendor
“Po, ne jemi në vitin e dytë në Ligën e Parë të Basketbollit në RMV, aspiratat këtë vit janë më të mëdha, këtë e kanë treguar edhe rezultatet që i kemi arritur deri më tani, jam tepër i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve, nga gjithçka si rrjedhin punët ashtu edhe e kemi pasur prej fillimit, i kemi pasur qëllimet më të larta se vitin e kaluar. Vitin e kaluar e kemi pas qëllim mbijetesën edhe e arritëm. Këtë vit synojmë që të jemi në pjesën e sipërme të tabelës” – tha Erhan Ramadani.
Trajner Ramadani, tha se ekipi i tij ka fituar disa ndeshje që realisht nuk i kanë pritur si kundër Rabotniçkit dhe Pelisterit por kanë humbur në disa ndeshje që duhej fituar.
“Por kur e pamë se filluam shumë mirë, dhe fituam disa ndeshje të cilat me të vërtetë mos ta them qe nuk e kemi pritur, por që ishin ndeshje të rënda dhe ishte rëndë të fitohet, por pastaj pak si ra përqendrimi, lojtar të rinj, kemi shumë pak lojtar me përvojë do të thosha 2-3 lojtarë, dhe i humbëm disa ndeshje që nuk e kemi pasur në plan për t’i humbë” – tha Erhan Ramadani, trajner i KB “Çairi 2030”.
Deri në fund të sezonit vjeshtor kanë mbetur edhe dy xhiro, ndërsa ekipi nga Çairi përballet me ekipin “Feniks 2010” , të dielën me fillim në ora 20.00, në palestrën “Jane Sandanski” në Shkup. /KlanMacedonia/