Barazime që vlejtën kualifikimin në Europian/ Shqipëria zbret e 62 në renditjen e FIFA, ngjitet Kosova

Argjentina vijon kryesimin

Ashtu siç edhe pritej, kombëtarja shqiptare ka pësuar zbritje në renditjen e FIFA-s. Kuqezinjtë arritën që të kualifikoheshin për herë të dytë në Kampionatin Europian, por dy barazimet 1-1 ndaj Moldavisë dhe pa gola ndaj Ishujve Faroe i kanë kushtuar jo pak.

Në renditjen e publikuar së fundmi nga organizmi i futbollit botëror, Shqipëria gjendet e 62 pas rezultateve në përballjet e muajit Nëntor. Një pozicion të cilin kombëtarja jonë e mbante para takimeve të muajit Tetor, duke treguar kështu se dy pikët e koleksionuar ndaj kombëtareve modeste në letër e kanë zbritur me tre pozicione.

Ngjitje ka pësuar kombëtarja e Kosovës. Pavarësisht se zhgënjeu në eliminatoret e Euro2024, Dardanët përmirësohen në renditjen e FIFA-s, teksa tashmë gjenden në vendin e 101. Humbjet në kualifikueset e Kupës së Botës i kushtuan dy pozicione Brazilit. 5 herë kampionët e Botës tashmë gjenden në vendin e pestë, duke u parakaluar në renditje nga Anglia dhe Belgjika.

Në drejtimin e renditjes së FIFA-s gjenden sërish kampionët e Botës, Argjentina, që mban të distancuar Francën. Ndërkaq, rritje ka pësuar edhe Holanda, tashmë e 6 në Botë, për të zbritur Portugalinë, kjo falë edhe kundërshtarëve jo shumë të denjë për luzitanët.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share