Ekipet e EVN-së tashmë kanë filluar punën në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës, ku duhet të rindërtohet rrjeti shpërndarës. Banorët e Sllupçanit u pajtuan me përfaqësuesit e EVN-së, që shfrytëzuesit e ndihmës sociale t’i paguajnë faturat e vonuara me këste.
Lidhur me marrëveshjen me banorët e Sllupçanit, EVN thotë se ligjet që vlejnë për të gjithë përdoruesit do të vazhdojnë të zbatohen.
Sa i përket disa kërkesave që kanë pasur më parë për pagesën prej 3.000 denarë pa dallim konsumi, banorët e fshatit thonë se këto ishin kërkesa të palogjikshme.
“Do të paguhet aq sa është shpenzuar dhe ne nuk duam të jemi pikë e zezë që na përfaqëson. Në Sllupçan janë mbi 60 për qind të banorëve që paguajnë faturat”, tha kryetari i Këshillit të Komunës së Likovës, Zekria Shaini.
Pas disa ditë bllokada nga banorët e Sllupçanit, EVN dhe banorët arritën që më 27 korrik të arrijnë marrëveshje.