Banorët e Haraçinës protestë para EVN-së

IBRAHIMI: EVN TË SILLET ME HARAÇINËN SIKURSE ME KOMUNAT TJERA

Dhjetëra banorë të Haraçinës kanë protestuar sot para zyrave të EVN-së në Butel, si shenjë revolte për shkak se disa ditë po ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike. Protestuesit thanë se, mungesa e energjisë u ka shkaktuar probleme të shumta. Ata po ashtu u ankuan, për fatura shumë të larta të energjisë elektrike, raporton Klan M.

“Tre ditë nuk kemi rrymë, luajnë me neve. 3000 shtëpi në Haraçinë, luajnë. Në markete i kanë hedhur të gjitha, me mish e me të gjitha, ato a bëjnë hajgare apo çfarë bëjnë”.

“Për një muaj rryma më ka ardhur 77 mijë denarë, po të kem ndonjë fabrikë të lidhur ndoshta do të kishte mundësi, por si ka ardhur, pse ka ardhur, këto nuk na kanë treguar, 1300 euro. Filluam të paguajmë si fillim, kur e pamë 1300 euro nuk ka shanse”.

Protestuesit kanë hedhur poshtë pretendimet se, banorët e këtij fshati nuk e paguajnë rrymën.

“Në Haraçinë paguhet rryma 80 përqind, domethënë 20 përqind, 15 përqind ato janë me ndihma sociale. Kjo këtu bëhet një montim me qëllim që rinia e Haraçinës të largohen dhe të migrojnë jashtë Haraçinës, nuk bëhet vetëm për rrymë, ne nuk e kemi kanalizimin nuk e kemi ujësjellësin.”

Në mbështetje të protestuesve doli edhe kryetari i komunës, Ridvan Ibrahimi i cili kërkoi që qasja e EVN-së në këtë komunë, të jetë sikurse edhe në komunat e tjera.

“Është i padrejtë ky imponim i vazhdueshëm i problemit me energjinë elektrike në komunën tonë. Vërtetë është e papranueshme që të ditë të sodit, gjithë këto qytetarë të ballafaqohen me një padrejtësi kaq të madhe. Jemi në vazhdimësi të përcjelljes së situatës dhe nuk e di qëllimi i kujt është dhe kujt po i konvenon kjo situatë të eskalojë” – deklaroi Ridvan Ibrahimi, kryetar i komunës së Haraçinës.

Kjo nuk është hera e parë që fshati i Haraçinës përballet me mungesë të energjisë elektrike me ditë të tëra. Arsyetimet e mëparshme të EVN-së kanë qenë se, ekipet e tyre pengohen nga ana e banorëve që të sanojnë dëmet. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share