Banka Qendrore e Rusisë ul normat e interesit

Banka Qendrore e Rusisë ka ulur normat kyçe të interesit nga 9.5 në 8 për qind, duke përmendur uljen e normës vjetore të inflacionit si arsyetim.

Zvogëlimi për 1.5 për qind, i bërë i ditur më 22 korrik, e bën normën e interesit më të vogël në krahasim me atë që ka qenë para se presidenti rus, Vladimir Putin të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Banka ka thënë se çmimet e konsumit janë duke rënë sepse kërkesa është zvogëluar dhe pritjet për inflacion kanë “rënë dukshëm”.

Vendimi rus është në kundërshtim me veprimet e bankave të Perëndimit, të cilat kanë rritur normat e interesit, për të luftuar inflacionin e nxitur nga lufta në Ukrainë.

Banka Qendrore Evropiane ka rritur normat e interesit më 21 korrik për gjysmë pikë të përqindjes.

Shtetet e Bashkuara kanë rritur normën e interesit muajin e kaluar për tri të katërtat e pikës së përqindjes.

Disa ditë pasi Moska ka nisur pushtimin, Banka Qendrore e Rusisë pati rritur normën e interesit për 20 për qind, me qëllim të forcimit të rublës, pas përballjes me sanksione të Perëndimit.

Prej atëherë, Banka Qendrore e Rusisë ka rritur të stabilizojë rublën dhe sistemin financiar, duke parandaluar largimin e parave nga Rusia dhe duke detyruar eksportuesit që të konvertojnë fitimet e tyre në rubla.

Rubla është tregtuar për 58.8 kundrejt dollarit amerikan më 22 korrik, duke e bërë valutën ruse më të vlefshme sesa një ditë para nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, kur 1 dollarë është treguar për 78.8 rubla.

Banka Qendrore ruse ka thënë se pret që inflacioni vjetor të arrijë në 12 deri në 15 për qind këtë vit, dhe më pas të bie në 5 deri në 7 për qind më 2023 dhe 4 për qind më 2024.

Në deklaratë është thënë se kompanitë po përballen ende me probleme në prodhim dhe logjistikë, si dhe ka paralajmëruar se “ambienti i jashtëm mbetet sfidues për ekonominë ruse”./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share