Grupet bankare ndërkombëtare po ruajnë pozitë të fortë në Ballkanin Perëndimor pavarësisht sfidave gjeopolitike. Në këtë përfundim ka arritur një anketim i sapopublikuar i Bankës Europiane të Investimeve (BEI) të zhvilluar në muajin mars të këtij viti.
Referuar anketimit, vetëm pak grupe bankare planifikojnë të ulin në mënyrë selektive ekspozimin ndaj rajonit, ndërsa mbi 40% e tyre planifikojnë të ruajnë nivelin aktual të veprimeve në terma afatgjatë dhe pothuajse 45% synojnë ta zgjerojnë praninë e tyre në mënyrë selektive. Megjithatë, bankat parashikojnë rritje të kredive me probleme, duke ndikuar veçanërisht në sektorin e tregtisë me pakicë dhe atë të korporatave, duke pasur parasysh ngadalësimin e rritjes, inflacionin e lartë dhe normat në rritje të interesit.
Anketimi I Bankës Europiane të Investimeve thekson se kërkesa për kredi në Ballkanin Perëndimor nuk ka shfaqur shenja ngadalësimi gjatë muajve të fundit dhe pritet të mbetet e fortë kryesisht për korporatat e mëdha dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sesa për shitjet me pakicë ku përfshihen kreditë konsumatore dhe blerje banese. Megjithatë, përbërja e tij ka ndryshuar, ku kapitali qarkullues (që reflekton nevojat për likuiditet të firmave) tani është shtytësi kryesor, ndërsa investimet fikse dhe segmentet e shitjes me pakicë pritet të kontribuojnë negativisht. Në veçanti, kërkesa për kredi për konsum dhe kredi hipotekare ka qenë e dobët dhe pritet të mbetet e zbutur.
Përkundrazi, oferta për kredi, duke treguar gatishmërinë e bankave për të dhënë hua ka ardhur duke u përkeqësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit dhe pritet të mbetet e dobët. Të gjitha segmentet e biznesit janë prekur nga shtrëngimi i kushteve të kreditimit, ku më i prekuri është ai I ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Megjithatë, dobësimi i kushteve të ofertës në vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të vijojë edhe gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, pavarësisht se do të jetë paksa më e fortë, por segmenti i hipotekave mund të përfitojë shumë.
/SCAN