Ballkani Perëndimor i kërcënuar nga konflikti ndëretnik

Raporti, inteligjenca amerikane: Po përballemi me një rend botëror gjithnjë e më të brishtë

Agjencitë e inteligjencës amerikane paralajmërojnë Ballkanin Perëndimor për rrezikun e konfliktit ndëretnik përgjatë vitit 2024.

Raporti i fundit i publikuar thekson ngjarjen e Banjskës në shtator të 2023, ku përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare shkaktuan vdekje dhe plagosje, përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s, si edhe veprimet provokuese të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

“Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të acarojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të nxisin dhe shfrytëzojë dallimet etnike me qëllim për të zgjeruar ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal, ose për të penguar integrimin e mëtejshëm të Ballkanit në BE ose në institucionet euroatlantike”, thuhet në raport.

Mes të tjerash zbulimi amerikan para Kongresit amerikan deklaroi se SHBA-ja po përballet me një rend botëror gjithnjë e më të brishtë, të tendosur nga konkurrenca e fuqive të mëdha, sfidat transnacionale dhe konfliktet rajonale.

“Shtetet e Bashkuara përballen me një kërcënim gjithnjë e më kompleks. E para është një konkurrencë strategjike e përshpejtuar me fuqitë e mëdha autoritare që po punojnë për të minuar rendin. E dyta është një grup sfidash si ndryshimi i klimës, korrupsioni, trafiku i lëndëve narkotike, siguria shëndetësore, terrorizmi dhe krimi kibernetik dhe e treta janë konfliktet rajonale dhe të lokalizuara që kanë implikime të gjera për botën.”

Raporti u fokusua kryesisht në kërcënimet nga Kina dhe Rusia, rivalët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara. Në dëshminë e saj në Komitetin e Inteligjencës së Senatit, Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines u kërkoi ligjvënësve të miratojnë më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën.

“Një Kinë ambicioze, një Rusi konfrontuese, disa fuqi rajonale, si Irani, dhe aktorë më të aftë joshtetërorë po sfidojnë rregullat e vjetra të sistemit ndërkombëtar. Tërheqja e Ukrainës nga Avdiivka ekspozoi erozionin e aftësive ushtarake të Ukrainës. Ndihma që parashikohet është absolutisht kritike për mbrojtjen e Ukrainës tani.”

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës William Burns, ashtu si Haines, tha se mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën do t’i dërgonte një mesazh Kinës për agresionin ndaj Tajvanit ose në Detin e Kinës Jugore. Haines vuri në dukje shqetësimet se konflikti në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit mund të përhapë pasigurinë globale.

“Kjo krizë në Gaza është një shembull i qartë se si zhvillimet rajonale kanë potencial për implikime globale. Për më tepër, kriza ka nxitur dhunën nga një sërë aktorësh në mbarë botën dhe ka të ngjarë që konflikti i Gazës të ketë një ndikim brezash mbi terrorizmin pasi si Al-Kaeda ashtu edhe ISIS janë të frymëzuar nga Hamasi.”

Ndërkaq Avril Haines vuri në dukje se ka pasur një rritje masive të sulmeve kibernetike në vitin 2023, 74% më shumë se në vitin 2022.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share