“Ballkani i Hapur” promovon turizmin

PANAIRI KULTUROR NË BEOGRAD NË 1 SHTATOR, NË 2 SHTATOR SAMITI MES LIDERVE

Panairi i verës “Ballkani i Hapur” në Beograd, do të bëjë bashkë 333 ekspozues verërash nga rajoni, Europa e bota. I pari në llojin e vet që prej krijimit të nismës “Ballkani i Hapur”, ky panair ka për qëllim promovimin e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut jo vetëm si destinacione turistike, por edhe ushqimin, pasurinë e llojeve të verërave si dhe kulturën mes tre vendeve.

Përveç marrëveshjeve për lëvizjen e lirë, Open Balkan pritet të luajë një rol të rëndësishëm edhe për turizmin në Ballkan. Hapi i parë pritet të hidhet në 1 shtator, kur në Beograd do të zhvillohet Panairi kulturor. Ky panair do të bashkojë deri më 4 shtator, prodhuesit më të mirë të verës nga vendet e ballkanit dhe jo vetëm.

Drejt Beogradit do të udhëtojë dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, ndërsa konfirmohet edhe pjesmarrja e 26 ekspozuesve nga Shqipëria.

Në Panairin e Beogradit pritet të marrin pjesë mbi 333 ekspozues nga 22 vende. Do të prezantohen 160 ekspozues nga Serbia, 26 nga Shqipëria, ndërsa 47 ekspozues do të vijnë nga Maqedonia e Veriut. Krahas vendeve-anëtare të Ballkanit të Hapur, priten ekspozues edhe nga Kroacia, Mali i Zi, Franca, Kili, Argjentina, Italia, Bosnja e Hercegovina dhe vende të tjera.

Panairi do të hapet më 1 shtator nga ana e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, ndërsa më 2 shtator është planifikuar samit i liderëve.

Gjatë Panairit, vizituesit do të kenë mundësi të shohin salla të ndryshme të definuara tematike dhe do të mund të edukohen dhe të mësojnë gjithçka që dëshirojnë të dinë për historinë dhe prejardhjen e verës, procesin e prodhimit, llojet e verërave, konsumimin dhe t’i shijojnë dhe të blejnë disa nga verërat më të mira në rajonin e Ballkanit dhe botës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share