Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski ka realizuar sot një takim pune në Tiranë me Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla. Të dy ministrat marrin pjesë në Konferencën e Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, përcjell KlanM.
Spasovski shprehet i kënaqur nga bashkëpunimi mes policisë kufitare të të dyja vendeve. Ky bashkëpunim i mirë i shërbimeve kompetente të të dy vendeve, siç thuhet, ka ndihmuar në hetimin e krimeve më të rënda, si vrasjet, plaçkitjet dhe vjedhjet e rënda.
“Me këtë rast u gjet një përgjigje për nevojat e komunitetit maqedonas në Golobërdë, i cili në nëntor të vitit të kaluar shprehu interesim për të gjetur një mënyrë për të zgjatur orarin e pikës kufitare Xhepishtë – Trebisht, e cila është e natyrës lokale dhe nuk funksionon gjatë gjithë kohës. Kështu, kushtet e jetesës së popullatës vendase do të përmirësoheshin shumë, pasi u zgjidh problemi i energjisë elektrike në të njëjtën pikë kufitare”, thuhet në njoftimin e MPB-së së Maqedonisë.
Të dy ministrat, siç thuhet, janë pajtuar që të fillojnë përgatitjet nga të dyja palët, që do të thotë përgjigje pozitive ndaj kërkesave të komunitetit maqedonas në Shqipëri.
Ministri Balla i ka dhuruar homologut të tij maqedonas edhe një bluzë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit me mbishkrimin Spasovski dhe numrin 6./KlanMacedonia