Balje: KQZ-ja t’u ofrojë qasje më të lehtë për të votuar personave me aftësi të veçantë

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Duda Balje, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që personave me aftësi të veçanta t’ua ofrojë qasje më të lehtë për të votuar.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Balje ka thënë se me Ligjin e Ri është i rregulluar ky detaj, veçse kërkohet që qasja të jetë më e lehtë, pasi po hasin në problematikë në qendrat e votimit.

“Tani me Ligjin e Ri i kemi pasur disa rregulla specifike për ata, për personat që nuk janë në gjendje të shkojnë deri tek vendi i votimit. Ata duhet të lajmërohen pastaj të shkojnë në shtëpi ku ata ndihen më mirë të votojnë. Ata janë qytetarë të Kosovës dhe duhet me të vërtetë të shfrytëzojnë të drejtën dhe obligimin për votën dhe nuk kanë pasur ankesa të mëdha deri tani”, tha ajo.

Balje ka theksuar vështirësitë e personave me aftësi të veçanta që të votojnë në qendra të votimit.

“Vetëm qasjen këtë e kemi problem të vazhdueshëm nëpër shkolla, për ata persona që duan të votojnë në vendin ku ne votojmë qasja është problematike dhe e lus organizatën që është përgjegjëse për këtë që t’i mundësoi secilit person deri tek vendi i votimit”, ka thënë Balje.

Balje theksoi se qasja nëpër shkollat ku zakonisht janë qendrat e votimit, është problematikë edhe për personat e verbër.

Balje ka thënë se për zgjedhjet e 9-të shkurtit është e pamundur shtypja e letrave speciale për persona të verbër, për shkak të kostos financiare.

“Nuk kam parë që ka pasur përmirësim, në qasjen nëpër shkolla kutitë e votimit zakonisht janë në katin e dytë ose të tretë nuk besoj që kanë bërë asgjë. Personat e verbër kanë një specifik të veçantë me përcjellësit apo me persona të cilët i ndihmojnë dhe nuk kemi adaptuar listën e votimit për ata dhe vërtetë është një problem special. Këtu është një respektim nëse ne duam që ata t’i respektojmë si secilin qytetarë të Kosovës, duhet të japim më shumë energji. Kur kemi kërkuar këtu kemi marrë përgjigje që është kosto, për këto letra duhet të behet pagesa edhe për këto zgjedhje të vitit 2025 nuk besoj që jemi gati”, ka thënë ajo.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share