“Balancuesi” – Përplasje mes deputetëve në Klan Debat

Për deputetin e BDI-së Ilir Hasanin dëmtimi i përfaqësimit të shqiptarëve, është një vazhdimësi e planeve të DPMNE. Deputeti I VMRO DPMNE-së Veljanovski thotë se është  koha për Zëvendësimin e Mekanizmit Balancues, kurse për Oliver Spasovskin “LSDM kërkon diskutim mbi planin për zgjidhje ligjore pas heqjes së balancuesit”

Në emisionin e mbrëmshëm “Klan Maqedoni”, Ilir Hasani, nga BDI shprehu shqetësimin e tij për vendimin e ministrit të drejtësisë, i cili uli përqindjen e shqiptarëve nga 30% në 24%. Hasani theksoi se ky veprim është një përpjekje për të zvogëluar përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe se është në përputhje me synimet e DPMNE-së për heqjen e mekanizmit të balancuesit.

“Që nga ardhja në pushtet e koalicionit aktual VMRO-VLEN, gjëja e parë që kemi parë është një performancë agresive e ministrit të drejtësisë, i cili papritur vendosi që shqiptarët nuk janë 30% por 24%, dhe me këtë ai në fakt shkoi drejtpërsëdrejti  duke ulur përqindjen e shqiptarëve në raport me popullsinë rezidente dhe jorezidente. Vendosi që tani e tutje balancuesi do të punojë me 24% jo me 29%. Dua të them se synimet, ka vazhdimësi në këtë punë. Në fund të fundit, DPMNE kishte në program heqjen e balancuesit si premtim parazgjedhor dhe e realizoi”, thotë Ilir Hassani.

 Deputeti nga VMRO-DPMNE, Aleksandar Veljanovski, theksoi se mekanizmi balancues ka luajtur rolin e tij dhe tani është koha për ta zëvëndësuar atë. Ai tha se tashmë është formuar një grup punues që duhet të përgatisë një projektligj, dhe do të marrë parasysh mendimet e opinionit profesional përmes një debati publik.

“Është formuar një grup pune i cili duhet të punojë për një projektligj në të cilin do të përfshihet publiku profesional përmes dëgjesës publike dhe të gjithë aktorët socialë, për të marrë një zgjidhje të mirë ligjore. Më pas do të kërkojmë mendim edhe nga Komisioni i Venecias për zgjidhjet ligjore, që të mos përplasemi me Gjykatën Kushtetuese, vetëm atëherë do të hyjmë në procedurë për të miratuar një zgjidhje të re ligjore që do të kënaqë jo vetëm komunitetet etnike. por edhe kategoritë e tjera të cenueshme në shoqëri”, shpjegon Veljanovski.

 Oliver Spasovski, deputet nga rradhët e LSDM, rikujtoi se heqja e balancuesit ishte e përmendur ne programet parazgjedhore të partive politike. Ai thot se nevojitet një plan të qartë për një zgjedhje të re ligjore që do të përfshijë të gjitha komunitetet etnike.

“Ne duhet të dimë se përfaqësimi i drejtë në shtet, mbi çdo bazë, qoftë fetare, politike, etnike, duhet të jetë baza e funksionimit të shoqërisë maqedonase. Dhe është e vërtetë që në atë strategji thuhet se balancuesi duhet të hiqet. Dhe ne e themi qartë se edhe në programin parazgjedhor këtë e kanë thënë edhe VMRO-DPMNe dhe partitë tjera politike. Pyetja është nëse dhe çfarë do të propozohet për një zgjidhje ligjore. Ne duhet ta shohim planin që të japim mendimin tonë, se cfarë do të behet më tej”, deklaroi Spasovski.

 Spasovski gjithashtu shtoi se qeveria aktuale ka skandale të shumta gjatë këtyre 100 ditëve. Një nga çështjet ai përmendi zgjedhen e drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, e cila krijoi polemika dhe shqetësime në opinion. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share