Pas më shumë se 76 orëve nga tërmeti i fuqishëm i 6 Shkurtit, 3 persona janë nxjerrë shëndosh e mirë nga rrënojat në Gaziantep të Turqisë.
Mithat Tabur dhe djemtë e tij Ersin, 30 vjeç dhe Mustafa, 26 vjeç, u shpëtuan nga rrënojat e një pallati tetë-katësh në periferi të qytetit.
Gruaja e Mithat, Ayer nuk kishte mbijetuar dot, ndërsa trupi i saj i pajetë u gjet në kuzhinën e banesës që kishin. Ekipet e shpëtimit tani po përpiqen të nxjerrin trupin e saj prej aty.
Në këtë pallat krejtësisht të shembur jetonin më shumë se 100 njerëz dhe afërsisht një e katërta e banorëve dolën të gjallë.
CNN raporton se 3 burrat kishin arritur të kontaktonin ekipet e shpëtimit përmes celularëve. Një i afërm i kësaj familjeje kishte dalë vullnetar për të gërmuar duke i ndihmuar punonjësit e shpëtimit në punën e tyre të mundimshme./tvklan.al