Aziri: Nuk është e vërtetë se ka pasur ofertë që Taravari të jetë kryeministër
Aleanca për Shqiptarët nuk heq dorë nga Ligji për Amnisti, pavarësisht se para disa ditësh u refuzua nevoja për sjelljen e këtij ligji me procedurë të shkurtuar.
Deputeti i kësaj partie, Elmi Azirit tha në emisionin Klan Debat se, ASH do t’i respektojë procedurat e nevojshme, ndërsa ligjin do ta propozojë edhe me procedurë të rregullt, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të njëjtin ta propozojë grupi parlamentar i ASH-së e jo ministri i tyre.
“LSDM në këtë rast ka bërë autogol për vete për arsye se pikërisht LSDM në vitin 2018 ka propozuar ligj për amnisti, ka votuar ligj për amnisti. Natyrisht, ky ligj në pjesën dërrmuese është i njëjti, përpos që ministri Lloga i ka tërhequr disa nene që kanë të bëjnë me funksionarët publikë. Ndoshta edhe kjo ka qenë një hendikep që ato nuk e kanë propozuar një ligj të tillë”, tha Elmi Aziri.
Aziri ka mohuar zërat se kryetari i ASH-së, Arben Taravari është propozuar për pozitën e kryeministrit, duke thënë se, nuk ka pasur një ofertë të tillë.
“Atë që e pamë ishte që nga kryetari i BDI-së, zotit Taravari i është propozuar pozita e kryeministrit për 100 ditëshin e fundit. Kryetari i partisë sonë u prononcua dhe diskutimi u mbyll. Nuk ka pasur ofertë të tillë, nuk është çështje. Nuk e dimë nga ka dalur e prej nga buron ky informacion”, u shpreh Aziri.
I pyetur nëse në zgjedhjet presidenciale do ta përkrahin kandidatin e opozitës shqiptare, kandidatin e Frontit Evropian apo do të nxjerrin kandidat të vetin, deputeti Aziri u përgjigj se kjo çështje nuk është diskutuar dhe se varet nga disa faktorë. Aziri deklaroi se organet partiake do të japin vendimin në momentin e duhur, nëse ASH do të duhet të dalë me kandidatin e saj për president apo do të përkrahë ndonjë nga kandidatët e pushtetit apo opozitës./KlanMacedonia