FËMIJËVE NË SHTËPINË EDUKUESE KORIGJUESE TETOVË U JEPEN DOZA JOADEKUATE
Moszbatimi i procesit edukativo – arsimor dhe trajtimi joadekuat mjekësor i fëmijëve janë problemet që ka hasur Avokati i Popullit, Naser Ziberi në Shtëpinë Edukuese – Korigjuese Tetovë. Ziberi tha se, te 58 përqind e fëmijëve në këtë institucion, janë konstatuar diagnoza psikiatrike, ndërsa i mjekon psikiatër për të moshuar, në vend të psikiatrit për adoleshentë dhe fëmijë. Kjo sipas tij, paraqet rrezik që ato të trajtohen si individë të rritur, si në raport me terapitë, ashtu edhe në lidhje me dozat, raporton KlanMacedonia.
“Trajtimi i tyre pranë institucioneve shëndetësore përkatëse, sidomos ai psikiatrik dhe doza që u jepet është joadekuate, sepse ata kontrollohen nga psikiatër për të rritur e jo nga psikiatër për trajtim të fëmijëve. Prej këtu, ekziston edhe rreziku për trajtimin e tyre si persona për të rritur në doza të shtuara dhe kjo i ekspozon në rrezik serioz këta fëmijë që janë të vendosur në këtë ent” – tha Naser Ziberi, avokat i popullit.
Sa i përket bastisjes së fundit të burgut të Idrizovës nga ana e MPB-së, ku u gjendën drogë, telefona celularë, të holla dhe thika, Ziberi tha se sipas informatave jozyrtare që ka shuma e mitos për futjen e një telefoni celularë është nga 200 deri në 500 euro për futjen e një telefoni”.
“Sipas informacioneve të mia drejtpërdrejt nga ministri i Punëve të Brendshme se, procesuohet paraqitje në prokurorinë përkatëse. Vet ministri i Drejtësisë paralajmëroi se do të ndiqen dhe do të dënohen, madje do të ndiqen edhe penalisht të gjithë të përfshirët dhe nuk do të anashkalohet asnjë person, duke filluar nga drejtoret e burgjeve e deri te policët e burgjeve” – deklaroi Naser Ziberi.
Ndërkaq, në lidhje me rastin e të burgosurve të grupit të Kumanovës, Ziberi gjatë prezantimit të raportit të Mekanizimit Parandalues Nacional, tha se, Drejtoria e Ekzekutimit të Dënimeve ka pranuar rekomandimin e fundit të Avokatit të Popullit, i cili ka qenë që këta persona të zhvendosen nga burgu i Shutkës në burgun e Idrizovës. /KlanMacedonia/