Austria kërkon informacione nga Maqedonia e Veriut për të dyshuarin për terrorizëm

Një qytetar austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut është i dyshuari kryesor për përgatitjen e një sulmi terrorist në njërin nga koncertet e këngëtares amerikane, Taylor Swift, në Vjenë, konfirmuan autoritetet austriake, më 8 gusht.

Policia austriake tha se i dyshuari pranoi plotësisht planet për sulmin.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se nga autoritetet austriake kanë marrë një kërkesë për të grumbulluar informacione për të dyshuarin, i cili ka prejardhjen nga Maqedonia e Veriut.

“Po veprojmë sipas kërkesës së paraqitur”, thuhet në përgjigjen e shkurtër nga MPB-ja maqedonase.

Autoritetet maqedonase nuk kanë zbuluar asnjë detaj se për kë bëhet fjalë, e as nga cili vend në Maqedoninë e Veriut vjen familja e të dysharit.

Ministri austriak i Punëve të Brendshme, Gerhard Karner, ka bërë të ditur se nuk po kërkohet asnjë i dyshuar tjetër.

“Situata ishte e rëndë, situata është e rëndë. Por mund të themi se u shmang një tragjedi”, tha Karner.

Policia austriake tha se i dyshuari kryesor, 19-vjeçari austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut, ka pranuar plotësisht planet e tij.

Ata thanë se ai ishte “me sa duket i radikalizuar në drejtim të Shtetit Islamik, dhe mendon se është e drejtë të vriten të pafetë”.

Disa javë më parë, ai u zotua për besnikëri ndaj liderit aktual të grupit Shteti Islamik (IS) në internet.

Autoritetet austriake të sigurisë thonë se i dyshuari i dytë, një shtetas austriak 17-vjeçar, me rrënjë turke dhe kroate, u arrestua nga forcat speciale të policisë, pranë stadiumit ku do të mbaheshin koncertet këtë javë.

Omar Haijawi-Pirchner, drejtor i Mbrojtjes së Shtetit dhe Shërbimit të Inteligjencës së Austrisë, tha se gjithashtu u ndalua dhe u mor në pyetje një austriak 15-vjeçar me origjinë turke, i cili “është i treti i dyshuar pas 19-vjeçarit dhe 17-vjeçarit”.

Karner, po ashtu, bëri të ditur se Policia nuk intervenoi apo pengoi mbajtjen e tri koncerteve të planifikuara të këngëtares Taylor Swift, por se e “respektojnë dhe kuptojnë vendimin e organizatorëve për t’i anuluar ngjarjet me dëshirën e tyre”.

Emrat e të dyshuarve nuk janë bërë të ditur

Zyrtarët austriakë të sigurisë thonë se dy të rinjtë donin të kryenin një sulm jashtë stadiumit, duke vrarë sa më shumë njerëz, duke përdorur thika ose eksplozivë të bërë vetë.

Para disa ditësh, i dyshuari i dytë ishte i punësuar në një kompani që ofronte shërbime në vendin ku mbahen koncertet. Hetuesit thanë se në shtëpinë e tij gjetën materiale të shumta të lidhura me organizatat terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Kaida.

Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme të Austrisë, Franz Ruf, tha se gjatë kontrollit të djeshëm në shtëpinë e të dyshuarit të parë, janë sekuestruar më shumë lëndë kimike dhe mjete teknike.

Në një intervistë me transmetuesin publik austriak, ORF, Ruf tha se hetuesit po vlerësonin provat e sekuestruara nga shtëpitë e të dyshuarve.

“Dy të arrestuarit kanë lindur në Austri, prindërit e 19-vjeçarit kanë rrënjë nga Maqedonia e Veriut dhe nëna e 17-vjeçarit është austriake”, tha Ruf.

Ai konfirmon se kanë pasur një informatë nga shërbimet e huaja, pas së cilës është kryer një hetim i përbashkët, me dijeninë e shërbimit austriak të inteligjencës.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme, siç janë emrat e të dyshuarve, në përputhje me ligjin austriak të privatësisë.

Pas arrestimeve të djeshme, kancelari austriak, Karl Nehammer, shpjegoi në një postim në rrjetin social X, i njohur më herët si Twitter, se situata e sigurisë lidhur me sulmin e planifikuar ishte shumë e rëndë, dhe se një reagim në kohë parandaloi një tragjedi të madhe.

Ai tha se terrorizmi islamik kërcënon sigurinë dhe lirinë në shumë vende perëndimore dhe pikërisht për këtë “ata nuk do të heqin dorë nga vlerat si liria dhe demokracia, por janë të vendosur t’i mbrojnë ato edhe më ashpër”.

“Këto vlera janë baza e shoqërisë sonë dhe na bëjnë rezistent ndaj ekstremizmit dhe terrorizmit. Është e rëndësishme të jemi vigjilentë, të qëndrojmë të bashkuar dhe të ndërmarrim veprime vendimtare kundër islamizmit radikal”, shkroi kancelarja austriake.

Dimovski: Të rinjtë janë shënjestra më e lehtë e organizatave terroriste

Kjo nuk është hera e parë që një i dyshuar për një sulm terrorist dhe simpatizant i Shtetit Islamik është me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Njëri nga sulmuesit në sulmin terrorist në qendër të Vjenës, katër vjet më parë, posedonte pasaportë austriake dhe të Maqedonisë së Veriut.

Ai u vra nga policia austriake, por në sulmin e kryer 4 persona u vranë dhe 17 u plagosën.

Profesor Zllate Dimovski nga Fakulteti i Sigurisë, në Shkup, shpjegon se organizatat terroriste pothuajse gjithmonë kërkojnë të rinj, sepse ata lehtë manipulohen dhe rekrutohen përmes imponimit të një ideologjie të caktuar.

“Personi konkret, i cili është me origjinë nga Maqedonia e Veriut – edhe pse kjo nuk do të thotë asgjë mbi rastin – ka jetuar dhe ka punuar në Austri, padyshim është rekrutuar në ndonjë bazë, ndaj tij është bërë një lloj ideologjizimi. Ai është duke u përgatitur. Mendoj se të dhënat do të dalin më vonë, ai duhet të ketë qenë në një nga kampet, është trajnuar për të punuar me njerëz, si të përcaktojë vendet ku të operojë, si të përdorë armët dhe eksplozivët, si të sigurohet”, tha ai.

“Kjo do të thotë se organizata terroriste kujdeset për anëtarët e saj dhe u thotë se ata janë pas tyre dhe i mbështesin gjatë, para dhe pas ekzekutimit të aktit”, shtoi tutje Dimovski.

Ai tha se të gjithë ata që hyjnë në atë sistem rekrutimi dhe radikalizimi e kanë të vështirë të largohen, jo vetëm për shkak të ideologjisë, por edhe për shkak të përfitimit material.

Mijëra admirues muzike të zhgënjyer
Anulimet e koncerteve të Swiftit kanë zhgënjyer dhjetëra mijëra admirues, shumë prej të cilëve kishin planifikuar të udhëtonin nga e gjithë bota në kryeqytetin austriak. Të tjerët kishin mbërritur kur lajmet u publikuan, të mërkurën vonë.

Swift ishte planifikuar të performonte në stadiumin Ernst Happel, në kryeqytetin austriak, të enjten, të premten dhe të shtunën, si pjesë e turneut të saj, Eras.

Organizatori i ngjarjes, Barracuda Music, tha në një postim në llogarinë e tij, në Instagram, të mërkurën vonë, se “nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të anulojmë tre koncertet e planifikuara për sigurinë e të gjithëve”. Ata cituan konfirmimin e zyrtarëve qeveritarë për sulmin e planifikuar në stadium.

Të gjitha biletat për koncertet e planifikuara në stadiumin e Vjenës ishin shitur, ndërsa për koncertet në Austri priteshin rreth 170 mijë pjesëmarrës.

Në vitin 2017, një sulm në një koncert të këngëtares amerikane, Ariana Grande, në Mançester, Angli, vrau 22 persona. Sulmuesi vetëvrasës, Salman Abedi, vendosi një bombë në çantën e shpinës, në Manchester Arena, në fund të koncertit të Grandes, ndërsa mijëra admirues të rinj u larguan.

Më shumë se 100 persona u plagosën, ndërsa Abedi vdiq nga shpërthimi./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share