Pas letrave të “ëmbla” dhe shisheve të alkoolit që kishte shkëmbyer me presidentin rus Vladimir Putin, Silvio Berluskoni ka tronditur sërish me deklaratat e tij qeverinë e krahut të djathtë.
Në një audio-përgjim të ri të bërë gjatë asamblesë së deputetëve në Montecitorio, fjalimi i Berlusconit i publikuar, sërish nga La Presse, ka të bëjë drejtpërdrejt me Ukrainën. Ai në audio jep versionin e tij për shpërthimin e luftës në Ukrainë
“A e dini se si ndodhi agresioni? Për këtë ju lutem, fshehtësi maksimale. Premtim? Në 2014 në Minsk, Bjellorusi, u nënshkrua një marrëveshje midis Ukrainës dhe dy republikave të sapoformuara të Donbasit për një marrëveshje paqeje pa sulmuar njeri-tjetrin. Ukraina e hedh këtë traktat në ferr një vit më vonë dhe fillon të sulmojë kufijtë e dy republikave. Dy republikat pësojnë viktima mes ushtarëve që mbërrijnë, më thonë, 5-6-7 mijë të vdekur”, ka thënë Berluskoni.
Sipas Berlusconit, faji është i presidentit ukrainas duke përmendur gjithashtu se agresioni nisi për shkak të rezistencës ukrainase.
“Sapo erdhi Zelensky në drejtim të Ukrainës trefishohen sulmet ndaj dy republikave, të cilat dërgojnë një delegacion në Moskë dhe më në fund arrijnë të flasin me Putinin. Ata thonë: “Vladimir nuk dimë çfarë të bëjmë, ti na mbro”. “Unë nuk e shoh se si Putin dhe Zelensky mund të bashkohen në një tryezë ndërmjetësimi. Sepse nuk ka asnjë mënyrë të mundshme. Zelensky, për mendimin tim … harroje, nuk mund ta them …”, ka thënë ai.
Në audio-përgjimin ish-kryeministri Italian sulmon liderët e Evropës dhe SHBA-së , teksa shprehet se në botën perëndimore nuk ka liderë, nuk ka në Evropë dhe as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i vetmi lider në Perëndim është ai vetë.
Pas publikimit të audios kanë ardhur edhe reagimet nga personalitete të politikës italiane. “Ata që nuk janë me Europën dhe NATO-n janë jashtë qeverisë. Italia me ne në qeveri nuk do të ketë kurrë lidhje të dobët me Perëndimin. Ajo do të rifitojë besueshmërinë dhe kështu do të mbrojë interesat e saj” , është shprehur kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni në një postim në Facebook.
“Deklaratat e Berlusconit janë shumë serioze, të papajtueshme me pozicionimin e Italisë dhe Evropës. Janë fjalë që e vendosin vendin tonë jashtë zgjedhjeve perëndimore dhe që minojnë besueshmërinë e ekzekutivit të ri të mundshëm. Europa sot duhet të zgjedhë nëse do të qëndrojë me Putin ose do të rrijë me Ukrainën dhe Bashkimin Evropian”, ka qenë ky reagimi i sekretarit të Partisë Demokratike, Enrico Letta.
Veç furtunës së kritikave ndaj tij, ky regjistrim mund të rrezikojë formimin e qeverisë së re të qendrës së djathë, pasi nacionalistët e Melonit kanë dënuar luftën ruse në Ukrainë dhe janë mbështetës të flaktë të armatosjes së ushtrisë ukrainase me armë perëndimore.
Klan News