Idenë e Zeqirija Ibrahimit nga Alternativa për Asociacion të komunave me shumicë shqiptare në Maqedoni, njejtë siç po kërkojnë serbët në Kosovë, e ka kundërshtuar analisti politik nga Kosova, Albinot Maloku.
Politologu dhe publicisti Maloku, siç informon Klan Maqedoni, shqiptarët në Maqedoni nuk duhet të harrojnë se janë popull konstitutiv i shtetit dhe për këtë duhet të insistojnë.
“Dëgjova edhe këtë; një subjekt politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut paska propozuar nismën ‘Asociacioni i Komunave me Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut’. Siç thonë nga ky subjekt, ‘në kohën që Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë’. Lutem të jetë veç muhabet ditor i politikës së subjektit në fjalë. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e kanë një dokument, të cilin e nxorën në vitin 2001, pas një lufte që nuk iu ofrua as për së afërmi synimeve të tyre, mirëpo të mendosh që një asociacion i ofrohet interesit të fuqisë së popullit konstitutiv të shtetit, është përtej naivitetit politik. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, asnjëherë nuk duhet të harrojnë se ata janë popull konstitutiv i këtij shteti dhe në këtë duhet të insistojnë”, thotë analisti Maloku në reagimin e tij./KlanMacedonia