Në pritje të fillimit zyrtar të fushatës presidenciale në Maqedoninë e Veriut, partitë politike kanë zgjedhur një retorikë sulmuese ndaj kundërshtarëve, ndërkohë që mbizotërojnë akuzat për afërsinë e partive të caktuara me politikat e Federatës Ruse. Megjithatë, partitë kryesore theksojnë si alternativë të vetme atë të integrimit evropian të vendit, edhe përkundër zhgënjimeve nga zvarritjet që, sipas tyre në këtë drejtim po i bën BE-ja. Ndërkaq, analistët nuk e përjashtojnë mundësinë e ushtrimit të ndikimit rus në zgjedhjet e pritshme.
Në Maqedoninë e Veriut edhe pse fushata e zgjedhjeve presidenciale akoma nuk ka filluar zyrtarisht, partitë politike dhe pjesëmarrësit në garë po zhvillojnë një retorikë mjaft të ashpër me akuza të rënda ndaj kundërshtarëve politikë.
Ndërkohë që partitë maqedonase shkëmbejnë ofendime për “tradhëtinë ndaj interesave kombëtare”, partitë shqiptare, nga ana tjetër po thellohen në një retorikë që ka në qendër të vëmendjes ndikimin rus në vend.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka për moto “Po Evropës – Jo Rusisë”, teksa thotë që shmangia eventuale e rrugës evropiane të vendit do të përkthehej si rrezik i orientimit drejt Rusisë.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti thekson se Rusia synon të pengojë rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të shtrijë konfliktin në Ballkanin Perëndimor.
“Rusia ka hyrë në vendin tonë; ka themeluar parti politike, ka themeluar mediume, ka formuar militantë në vendin tonë, që duan ta thyejnë rrugën tonë të përcaktuar fort se ne duam një Ballkan të paqtë. Këtu te ne ka parti të themeluar nga Aleksandar Dugin, që është koka e politikave ruse”, u shpreh zoti Ahmeti në një takim me mbështetësit e partisë së tij.
BDI-ja flet për politikat anti-evropiane të opozitës maqedonase, por dhe asaj shqiptare dhe bashkërendimin e tyre me Moskën, ndërsa ka alarmuar për një skenar rus që synon trazira politike pas zgjedhjeve të 8 majit.
Por, Arben Taravari i koalicionit opozitar shqiptar VLEN dhe kandidat për president të vendit i cilëson këto si akuza të pabaza:
”Këto janë akuza qesharake. Mendoj se së paku BDI-së nuk i ka hije të akuzojë në këtë mënyrë dhe nëse dikush ka afërsi me Serbinë prej partive politike shqiptare, mendoj se është BDI-ja dhe Serbia është përfaqësuese kryesore e Rusisë në Ballkan, kështu që këto janë akuza të pabaza”, thotë zoti Taravari.
Por, a mund të ketë ndikim dhe përzierje ruse në zgjedhjet e pritshme të Maqedonisë së Veriut? Analisti Albert Musliu kujton historinë e aktivitetit keqdashës rus përmes qendrave të internetit në Veles të Maqedonisë së Veriut lidhur me zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020.
“Kapaciteti në Maqedoni për t’u përzier në procesin zgjedhor nga Federata Ruse është evidente. Tek ne e thjeshtojnë procesin e ndërhyrjes së Federatës Ruse. Ajo jo gjithmonë bëhet nëpërmjet rusëve, por dhe jo gjithmnë bëhet nëpërmjet maqedonasve ose serbëve. Narrativi pro-rus që i shkon për shtati interesave të Federatës Ruse dhe destabilizimit të këtij rajoni si mundësi e defokusimit të asaj që ndodh në Ukrainë bëhet edhe nëpërmjet narrativave të tjera: atyre Lindore mandje edhe atyre vendore. Gjithsesi se tendenca e përzierjes nga ana e Federatës Ruse, qoftë direkte apo nëpërmjet “proxy”-ve të saj si në palën maqedonase po ashtru edhe në atë shqiptare nuk është qëllim-mirë. Qëllimi përfundimtar i saj është ngritja e tensioneve, shtimi i përplasjeve të të dy palëve, të cilat në Maqedoni akoma nuk janë përmbyllur me qëllim që të shpërqendrohet opinioni i partnerëve tanë euro-atlantikë prej asaj që ndodh në Rusi dhe një pjesë e atij fokusi të transferohet në Ballkan”, thotë analisti Musliu në një bisedë për Zërin e Amerikës.
Zoti Musliu, ndërkaq nuk mendon se mund të ketë ndonjë konflikt të përmasave më të gjera në Ballkan për shkak të pranisë së forcave të NATO-s në Kosovë dhe për shkak se shumica e vendeve të rajonit janë tashmë anëtare të Aleancës.
Analisti vlerëson se Rusia dhe përkrahësit e saj në Shkup dhe rajon synojnë, në radhë të parë nxitjen e skepticizmit ndaj BE-së./VOA