Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët përmes një reagimi me shkrim akuzojnë Lëvizjen Besa dhe Kryetarin e Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu se nuk janë mirënjohës për fitoren e arritur në zgjedhjet e fundit lokale në komunën e Zhelinës.
“Lëvizja Besa dhe Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, mbrëmë treguan se sa bukëshkelë janë, ashtu siç treguan që kur i bëmë fitues në këtë komunë.Në radhë të parë i gjithë opinioni, madje edhe vetë aktivistët e Lëvizjes Besa në Zhelinë janë dëshmitarë se si, jo vetëm struktura e degës, por edhe eksponentë të lartë partiakë kanë qenë pjesëmarrës aktiv në shumicën dërmuese të aktiviteteve, në mbështetje të kandidatit të Lëvizjes Besa”, thonë nga ASH.
Sipas ASH-së Lëvizja Besa me kandidat Blerim Sejdiun në Komunën e Zhelinës arriti të fiton falë mbështëtjes së ASH-së.
“Një fakt i pakontestueshëm që demaskon akuzat e ulëta dhe bukëshkelëse, është edhe vetë rezultati në dy rrethet zgjedhore. Kujtojmë se në rrethin e parë, kandidati i Lëvizjes Besa kishte 400 vota më pak, si ai i BDI-së. Përveç këtyre dy partive, kontingjent vendimtar të votave kishin edhe dy partitë tjera, LSDM e cila në rrethin e dytë haptas mbështeti BDI-në, si në çdo komunë edhe në Zhelinë, si dhe Aleanca për Shqiptarët e cila mbështeti kandidatin e Lëvizjes Besa. Falë mbështetjes tonë dhe angazhimit maksimal, kandidati Blerim Sejdiu arriti të përmbysë rezultatin dhe të triumfojë në rrethin e dytë”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Nga ASH pyetën Sejdiun dhe Lëvizjen Besa se cili është motivi kryesor që mohojnë mbështëtjen e Aleancës në zgjedhjet lokale të 2021.
Përplasjet mes ASH-së dhe Besës vijnë pas deklaratës së disa ditëve me parë ku kreu i ASH-së, Arben Taravari tha se partia e tij e ka ndihmuar Besën të fitoj zgjedhjet në Zhelinë.