Sot ishim dëshmitarë të një maskarade që vetëm KRRE mund ta prezantojë.
Përmes një reagimi me shkrim Aleanca për Shqiptarët thotë se gjatë prezantimit të bllok tarifave ( fasha tarifore ) të mundshme për tarifën e lartë ditore, në bazë të të cilave do të tarifohet konsumi i energjisë elektrike pas datës 01.07.2022, prezantuan se blloku tarifor i parë do jetë nga 0 deri në 210 kWh, blloku i dytë tarifor nga 211 deri në 420 kWh , blloku i tretë nga 421 deri në 630 kWh dhe blloku i katërt mbi 630 kWh. Por, pikërisht në këtë prizëm qëndron mashtrimi e keqinformimi i konsumatorëve.
Nëse deri më sot çdo konsumatori i përgatitej fatura për një periudhë kohore deri më 30 ditë, tani me propozimin e ri kjo periudhë kohore do jetë 35 ditë. Nëse në bllokun e parë deri në 210 kWh për 30 ditë faturim mesatarja do ishte 7 kWh në ditë, ndërsa për faturim 35 ditor mesatarja është 6 kWh, e kështu edhe në blloqet e tjera…, pra një mashtrim klasik, pasi nëse vazhdon faturimi si deri më tani në periudhë kohore prej 30 ditëve blloku i parë do ishte deri në 180 kWh e jo siç proklamohet tani deri në 210 kWh, blloku i dytë do ishte deri më 360 kWh e jo siç proklamohet deri në 420 kWh, blloku i tretë do ishte deri më 540 kWh e jo siç proklamohet deri në 630 kWh dhe blloku i katërt mbi 540 kWh e jo siç proklamohet mbi 630 kWh.
Por, jo vetëm në këtë aspekt, poashtu edhe në aspektin e ndarjes së blloqeve ka shumë mangësi e paqartësi.
Për funksionimin normal të shtëpive tona, të njëjtat janë të mbushura me shumëllojshmëri të pajisjeve, pa të cilat është e vështirë të imagjinohet jeta e përgjithshme. Të gjitha këto pajisje konsumojnë një sasi të energjisë elektrike.
Në bazë të disa parametrave krahasues konsumi ditor i këtyre pajisjeve është diku te 25 kWh në ditë ( lavatriçja, dushi, frigoriferi, shporeti elektrik për gatim, enëlarsja, laptopi, televizioni, hekuri e fshesa elektrike ), pra jo edhe kondicionerët apo pajisje të tjera për ngrohje, i bie që një familje me të ardhura mesatare të konsumojë për një muaj diku te 750 kWh, ose e ndarë në tarifën e lartë 470 kWh e 280 kWh në tarifën e ulët .
Për këtë konsum të energjisë elektrike sot në bazë të çmimeve aktuale konsumatori do të paguajë 4.875 00 denarë
470 * 7,32 = 3.440,40 denarë
280 * 3,67 = 1.027,60 denarë
TVSH 223,38 denarë
Ndriçim p. 184,00 denarë
TOTALI 4.875,00 denarë
Tani me zbatimin e bllok tarifave, por për këtë faturim deri më 30 ditë, si dhe me prezantimet se në bllokun e parë çmimi nuk do të ndryshojë, e se në bllokun e katërt çmimi do të jetë në nivelin e çmimit të tarifës industriale, ndërsa për tarifën e dytë e të tretë është marrë një mesatare mes këtyre dy çmimeve dhe fatura do jetë në vlerë prej 5.448,00 denarë.
180 * 7,32 = 1.317,60 denarë
180 * 8,68 = 1.562,40 denarë
110 * 10,05 =1.105,50 denarë
280 * 3,67 = 1.027,60 denarë
TVSH 250,65 denarë
Ndriçim p. 184,00 denarë
TOTALI 5.448,00 denarë
Pra ndryshimi është 573,00 denarë ose 11,75 % , vlerë shtesë të cilën do të duhej ta paguajë një konsumator me konsum të këtillë që morëm si shembull. Pra rritja është 11,75 % e jo siç mundohen ta paraqesë KRRE se do të ketë rritje vetëm 5 % ose 6 % .
ASH ka ndjekur me vëmendje këto zhvillime, në disa dalje para opinionit publik ka paraqitur me fakte arrogancën, papërgjegjshmërinë dhe joprofesionalizmin e KRRE. ASH ka dhënë propozime konkrete, por të njëjtat nuk janë marrë parasysh nga ky institucion.
Ditët në vazhdim ASH do të dalë me qëndrime konkrete lidhur me këtë temë.