ASH: Sot Flamurin e nënçmoi jo vetëm një polic, por e tërë MPB-ja, u ofendua Shqipëria dhe mbarë kombi!

Ashtu edhe siç pritej nga një qeveri monoetnike dhe antishqiptare, Ministria e Punëve të Brendshme e fali policin i cili përdhosi flamurin kombëtar shqiptar edhe përkundër aktrimeve, deklaratave dhe shfaqjeve tragji-komike të zëvendësministrit shqiptar dhe partive shqiptare në Qeveri – thuhet në një reagim nga ASH-ja e Ziadin Selës.

“Ndërkohë, nuk ka asnjë hap konkret as për ata që dogjën flamurin shqiptar, ndërsa për shqiptarët që festuan 28 Nëntorin, përfshirë edhe ata që nuk kishin lidhje me djegien e flamurit shtetëror, vazhdon të mbetet rreziku për dënime nga 1 deri në 5 vjet burg” – thonë nga ASH-ja.

Me këtë vendim, sipas ASH-së, sot flamurin dhe mbarë kombin shqiptar e nënçmoi jo vetëm një polic, por e tërë MPB-ja, i gjithë shteti, përfshirë këtu edhe zëvendësministrin dhe funksionarët e tjerë shqiptarë.

“Sot u dëshmua edhe një herë se për partitë e Vlenit dhe krerët e saj, nuk kanë rëndësi as gjuha e as flamuri, por vetëm kolltuqet e tyre. Ata e konfirmuan se janë vetëm vasalë të një qeverie që për 6 muaj shënoi regresin më të madh që shqiptarët nuk e kanë parë për 30 vjet” – thonë nga ASH-ja.

Sikur të mos mjaftonte ky nënçmim, nga ASH thonë se, ata tani i tejkaluan edhe kufijtë e vendit, duke zyrtarizuar dhe legjitimuar me veprimet e tyte edhe ofendimin e Shqipërisë dhe të mbarë kombit. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share