ASH e Selës: Shteti mbron huliganët që dogjën flamurin shqiptar në Prilep, VLEN të frikësuar apo bashkëfajtor?

Kanë reaguar nga ASH e Selës për ngjarjet e fundit duke akuzuar shtetin se mbron huliganët që dogjën flamurin shqiptar në Prilep.
“Aleanca për Shqiptarët gjithmonë ka dënuar aktet e devalvimit dhe djegies së flamujve shtetëror dhe kombëtar, duke kërkuar nga autoritetet drejtësi të plotë dhe jo selektive. Por, fatkeqësisht në vendin tonë është forcuar drejtësia selektive dhe diskriminimi i qytetarëve dhe bashkësive etnike nga institucionet relevante.
Mbrëmë i gjithë opinioni pati mundësi të sheh pamjet e vandalizimit të flamurit kombëtar shqiptar në qytetin e Prilepit, që ishte një akt i radhës pas shkeljes dhe djeges së flamurit shqiptar edhe në Shkup dhe Kumanovë. Edhe pse në video shihen qartë fytyrat e personave që shkelin flamurin shqiptar dhe fyejnë rëndë me fjalë gjithë kombin shqiptar, policia dhe organet e drejtësisë ende nuk kanë marë asnjë veprim për kapjen e tyre. Ky mosveprim i organeve të rendit paraqet qasje selektive ndaj rasteve të ngjajshme, duke reaguar për disa minuta dhe duke arrestuar brenda dy orëve të rinjtë shqiptarë që grisën flamurin maqedonas dhe duke heshtur e mos vepruar për rastet ku vandalizohet e digjet flamuri kombëtar shqiptar. Sjellja e këtillë e institucioneve dhe Qeverisë paraqet inkurajim të akteve vandale të grupeve nacionaliste maqedonase dhe mbështet urrejtjen ndaj qytetarëve shqiptarëve në vend dhe shtetit shqiptar.
I ftojmë publikisht edhe përfaqësuesit shqiptarë në Qeverinë jolegjitime që të ndërpresin heshtjen, të marrin guximin dhe të reagojnë të paktën për këtë rast ku fajtorët janë lehtë të identifikueshëm, në të kundërtën po na dëshmojnë se janë bashkëautorë të fushatës antishqiptare që zhvillohet nga Qeveria përmes vendimeve diskriminuese dhe nga huliganët përmes akteve vandale. E pakta që duhet të bëni për ta demantuar këtë është të braktisni atë Qeveri monoetnike dhe të bashkangjiteni me ne, për t’i bërë ballë kësaj fushate të hapur kundër shqiptarëve” – thuhet në kumtesën e ASH-së.
Lexo gjithashtu
Total
0
Share