ASH deri të hënën vendimi për hyrje ose jo në Qeveri

REXHEPI: ME SHUMË GJASË ALTERNATIVA DO TË MBETET NË QEVERI

Qeveria dhe Aleanca për Shqiptarët po vazhdojnë punimet në nivel të grupeve punues për zgjerim të koalicionit qeveritar. Burime të Klan Maqedoni nga ASH thonë se, negociatat do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim ndërsa, deri të hënën pritet që të ketë një vendim nëse do të bëhen ose jo pjesë e Qeverisë. Ndërkaq, kryeministri, Dimitar Kovaçevski, i pyetur për këtë temë, tha se sot nuk pritet të ketë takim me kryetarin e ASH-së, Arben Taravari, por konfirmoi se, negociatat vazhdojnë.

“Mund t’ju them se, grupi i punës që e formuam njëzëri në bordin ekzekutiv të LSDM-së punon në përgatitjen e mundësisë për hyrje të një partneri të ri në Qeveri dhe sot pasdite kam caktuar bisedë telefonike me një përfaqësues të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës” – tha Kovaçevski.

Kovaçevski sot nuk do të takohet as me kryetarin e Alternativës. Nga ana tjetër, deputeti Skender Rexhepi, i cili doli nga radhët e Alternativës, por që muajt e fundit vepron si i pavarur, tha se me shumë gjasë kjo parti do të mbetet në Qeveri edhe nëse mbetet vetëm me një dikaster, pas hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në Qeveri.

“Alternativa kishte rastin gjatë gjithë këtyre 12-13 muajve që të kushtëzoje qeverinë që programin qeveritar ta realizonte deri në detaje, por fatkeqësisht interesat e ngushta të një klani të vogël nuk lejuan që ato pika programore të realizohen, andaj ata do të mbeten pjesë e qeverisë, qoftë edhe me një dikaster të vogël. Ose do të qëndrojnë turpshëm, ose do të duhet të largohen me krenari, së paku të dëshmojnë se dështuan në qeverisjen 1-vjeçare” – tha Skender Rexhepi.

Ai tha se, është në anën e shumicës parlamentare dhe do vazhdojë të jetë deri sa do të flitet rreth marrëveshjes politike me Qeverinë, ndërsa në momentin që do të dëshmohet që dështon një marrëveshje e tillë, do të marrë kahje tjetër. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share