Jasir Asani është përzgjedhur si personazhet e vitit nga emisioni “Opinion”. Meqë ishte në studio ai kishte një dhuratë për gazetarin Blendi Fevziu, fanellën e tij tek kombëtarja me numrin nëntë.
Asani na ka emocionuar me supergolat e tij. “Snajperi” i kombëtares na tregoi aventurën e tij që nga nisja e karrierës si futbollist e deri tek ftesa te skuadra kombëtare.
Shtatë vite priti që të bëhej lojtar i Shqipërisë dhe thekson se ka qarë kur i ka ardhur ftesa nga Sylvinho.
“Ka qenë dita e premte që më kanë marrë nga stafi që do isha pjesë e kombëtares. Isha në Kore. Isha 9 orë diferencë përpara atje. Nga gëzimi qava sepse nga fëmijëria e kam pritur këtë ftesë dhe që të bashkohesha një ditë të luaja nga kombëtarja shqiptare. E kam pasur ftesën (nga Maqedonia) dhe ka 7-8 vite që e kam pritur kombëtaren. Edhe po të mos kishte ardhur ftesa gjithmonë do e prisja kombëtaren shqiptare”, theksoi ai.
Asani cilëson golin me Moldavinë si më emocionuesin që ka pasur. Sa i përket Europianit shprehet se nuk ka frikë nga asnjë kombëtare.
“Kemi kualitet shumë të madh në ekip. Kemi kompleksin më të mirë në Ballkan. Merita është e të gjithëve sepse jemi grup shumë i fortë dhe duhet të vazhdojmë përpara. Shumë besim kam. Nuk kam frikë asnjë kombëtare sepse me këta lojtarë që kemi mund të lozim pa pikë problemi me çdo kombëtare në botë”, tha ai. /tvklan.al