Artan Hajrizi, vëllai i Faton Hajrizit, ka reaguar pas lajmit për vrasjen e 39-vjeçarit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
“Vlla ti je ne zemer teme i gjalla je”, shkroi Artani në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Ivica Daçiq, njoftoi sot se autori i sulmit në Loznicë, ku mbeti i vrarë një polic serb dhe u plagos një tjetër, është likuiduar. Ndonëse identiteti i të ndjerit nuk u konfirmua zyrtarisht, mediat në Beograd raportuan qysh në fillim se i vrari është Faton Hajrizi, teksa kanë publikuar pamjet e rënda ku shihet kufoma.
Faton Hajrizi, dy javë më parë u arratis nga Burgu i Smrekonicës dhe ishte në kërkim nga Policia e Kosovës.
Kujtojmë se nga të shtënat që ndodhën natën e 18 korrikut në Loznicë, një polic u vra dhe një tjetër u plagos rëndë.
Sulmuesi fillimisht u identifikua si Artan Hajrizi, por i njëjti tha për mediat e Kosovës se nuk ka gisht në vrasje dhe se vëllai i tij, Fatoni ia ka vjedhur dokumentet personale.
Për rastin janë arrestuar edhe tre persona në Serbi.
Siç raporton, “Danas“, ministri i Brendshëm i Serbisë paralajmëroi se shteti serb do t’i kërkojë Gjermanisë ekstradimin e Artan Hajrizit./Reporteri.net/