Pas vendimit të SHBA se emri i tijë është në ‘Listën e Zezë’ amerikane Artan Grubi mbrëmë njoftoi se tërhiqet nga jeta publike. Në një postim në rrjetin social facebook Grubi ka njoftuar se vendimi është personal dhe për të njejtin e ka njoftuar Liderin e BDI-së Ali Ahmetin që në ditën e pare.
Grubi, thotë se është i pastër si loti, ndërkaq tërheqja edhe pse e vështirë është edhe për të ruajtur familjen dhe integritetin e tij personal dhe politik, por edhe për të mbështetur vazhdimësinë e kryetarit të partisë Ali Ahmeti.
“Edhepse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar Kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë.Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti” – shkruan Grubi.
Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme Kreu i Integristeve Ali Ahmeti për të cilin vendimet e Departamentit të Shetetit janë të pa kontestueshme theksoi se Grubi ka të drejtën e ankimimit dhe se vetë do të tërhiqet nga funksionet në BDI.
“Nuk i kontestojmë vendimet e Departamentit të shtetit, z. Grubi e ka të drejtën e ankimimit, të bëjë procesin në drejtim të fakteve, sepse kjo e drejtë i njihet z. Grubit në vendimin e Departamentit të Shtetit dhe z Grubi nuk do as të dëmtojë subjektin e vet, familjen e vet, BDI-në, deri në momentin që ky proces të ketë epilog” – tha Ali Ahmeti, BDI.
Më 9 dhjetor ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti u futën në ‘Listën e Zezë’ amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Ndryshe gjatë ditë së djeshme nga Prokuroria Publike njoftuan se kanë hapur lëndë për personat që janë në listen e zezë. /tvklan.mk/