Pa pëlqimin e Qytetit të Shkupit, Këshilli i Komunës së Gjorçe Petrovit këtë fundjavë ka votuar ndryshimet në Planin Detal Urban (PDU) me të cilin objektet e lejuara në rrugën “Aco Shopov” janë rritur në mënyrë drastike nga 5 kate në 20 kate, njoftoi kryetarja Danela Arsovska.
Siç sqaroi ajo, edhe pse është dashur të kërkojnë mendim nga institucionet kompetente, komuna ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, nga ku është marrë pëlqimi më 16 shkurt të këtij viti dhe i ka kaluar Këshillit të komunës të shtunën.
Qyteti i Shkupit, siç njoftoi Arsovska, do të ngrejë kallëzim penal kundër kryetarit të komunës së Gjorçe Petrov Aleksandar Stojkovski, ministrit të transportit dhe lidhjeve Bllagoj Boçvarski, kryetares së këshillit të komunës së Gjorçe Petrov dhe disa të tjerëve. Ajo do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese ndërprerjen e përkohshme të aplikimit.
“Të shtunën më 17.02 në mbledhjen e jashtëzakonshme të komunës së Gjorçe Petrovit, në kundërshtim me të gjitha procedurat, në kundërshtim me disa ligje, është miratuar PDU jashtë të gjitha procedurave, sipas të cilit është paraparë ndërtimi i një përbindëshi prej betoni, i përbërë nga 50 objekte, ku është planifikuar ndërtimi i objekteve të banimit prej 240.000 metra katrorë”, tha Danella Arsovska.