Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar Konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme publike për vitin shkollor 2024/2025. Paraqitja dhe regjistrimi do të bëhet në afatin e qershorit.
Edhe pse para dy viteve, për herë të parë ishte aplikuar paraqitja elektronike, nxënësit, nëpër shkolla dokumentet i dërguan edhe në formë të shkruar. Kështu do të jetë edhe këtë vit.
“Paraqitja e nxënësve do të bëhet përmes aplikimit elektronik përmes linkut në portalin për shërbime elektronike të MASH-it, me paralajmërim të veçantë për nxënës të shkollave të mesme përmes llogarive personale të shfrytëzuesve Schools.mk. Paraqitja e parë elektronike do të bëhet nga 20 deri më 25 qershor 2024. Dorëzimi i dokumenteve të nevojshme nëpër shkolla bëhet më 20, 21 dhe 24 qershor nga ora 07.00 deri 17.00 dhe më 25 qershor nga 07.00 deri 15.00”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Semimaturantët tashmë po i bëjnë përgatitjet përfundimtare për t`u regjistruar nëpër shkollat e mesme.
Klan Maqedoni qëndroi në Shkollën Fillore “Dituria” në Saraj. Semimaturantet shprehën dëshirat e tyre për vazhdimin e procesit arimor.
“Po unë kam vendosur edhe dua që të bëhem avokate për shkak që dua të i përfaqësojë të drejtat e njerëzve dhe të i dergojë në ato mënyra që atyre ju përketë. Nuk jam inspiruar por kam dëshirë sepse e shohë që disa bëjnë edhe padrejtësi dhe unë dua të veprojë në mënyrë të drejt”, tha Enisa Nuredini, nxënëse.
“Po kam vendosur, dua të vazhdojë për dentiste stomatologe. Më ka pëlqyre shumë dhe për arsyje se kam familjarë që kanë mbaruar stomatologjin dhe më pëlqen të bëhem si mjeke”, tha Benisa Shabani.
“Kam vendosur për farmaci, jam inspiruar nga njerëzit të cilët kanë sëmundje të ndryshme dhe dua që t i shohë apo tju shërbejë me barna të ndyshme”, tha Aldina Sulejmani.
Sipas Ministrisë së Arsimit, nëpër shkollat e mesme ku do të paraqiten numër më i madh të nxënësve se sa që parashihet në konkurs, nëse nxënësit plotësojnë kushtet, organizohet testimi kualifikues. Testimi ka të bëjë për nxënësit që do të kenë pikë të njëjta konform konkursit.
Kritere për zgjedhjen e nxënësve, janë mesatarja e suksesit prej klasës së 6-të deri të 9-tën, mesatarja për katër lëndët – gjuhë amtare, gjuhë e huaj dhe dy lëndë profesionale, diploma të fituara si dhe pjesëmarrja nëpër gara shtetërore, por edhe vlera mesatare e pikëve për sjelljen./tvklan.mk