Davide Pecorelli është arrestuar pasditen e kësaj të shtune nga autoritetet në Itali. 47-vjeçari nga San Giustino, i cili në Janar të 2021 inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri, do të ekstradohet drejt vendit tonë. Lajmi konfirmohet nga autoritetet italiane për mediat vendase.
Në Tetor të vitit të shkuar, prokuroria shqiptare mbylli hetimet për sipërmarrësin italian, i cili akuzohet për mashtrim, përdhosje të varreve, shkatërrim të pronës me zjarr, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Autoritetet shqiptare besojnë se Pecorelli u ndihmua për të organizuar inskenimin e vdekjes së tij.
Sipas hetimeve të deritanishme, për t’i shpëtuar borxheve financiare në Itali, Pecorelli i vuri flakën automjetit që kishte marrë me qira në një fshat të Pukës, brenda së cilës u gjetën eshtra njerëzore, gjithçka në funksion të simulimit të vdekjes së tij.
8 muaj pasi ishte shpallur në kërkim, ai u rishfaq në ujërat e ishullit të Montecristos, në Itali, teksa po përpiqej të ankoronte gomonen me të cilën tha se po kërkonte thesarin./tvklan.al