Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur në Unazë të Re në Tiranë, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fast”.
Si rezultat i tij u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- E. I., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
- D. K., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në Unazë të Re, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. I., dhe pasagjer shtetasin D. K. Gjatë kontrollit të automjetit, gjetën një armë zjarri pistoletë me krëhër dhe municion luftarak të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./tvklan.al