Arratisja e ish-ushtarit të UÇK-së, VMRO-DPMNE: Fajtorë LSDM dhe BDI, LSDM: Faji te MPB, të dorëhiqet Toshkovski

Derisa opinioni është në pritje të përgjigjeve nga institucionet dhe lokalizimin e përgjegjësisë për arratisjen e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, pushteti dhe opozita vazhdojnë akuzat e ndërsjella për këtë incident.

VMRO-DPMNE-ja vazhdon me akuzat se fajtorë për arratisjen e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, janë LSDM-ja dhe BDI-ja.

Sipas tyre, kuadrot e tyre në gjyqësor kanë lejuar arratisjen e Ramadanit, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të gjykatësit Pajazit Pajaziti.

“Pajazit Pajaziti, gjykatësi I afërt me BDI-LSDM, e dërgoi Blerim Ramadanin në arrest shtëpiak, që të arratiset më lehtë. Pajazit Pajaziti është gjykatësi i njëjtë që vendosi për incidentin në kullën e fluturimeve të Aeroportit dhe për aktvendimin me kusht të Ixhet Memetit për mitmarrje. Kërkojmë që institucionet menjëherë të inicojnë procedura dhe Pajaziti të shkarkohet nga funksioni”, tha Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

LSDM-ja opozitare bën thirrje që Qeveria ta merrë përgjegjësinë, kurse kërkojnë edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski.

Sipas socialdemokratëve Qeveria e VMRO-DPMNE-së përgënjeshtron vetveten në çdo përpjekje manipulimi lidhur me skandalin e arratisjes.

“Komedia e fundit në këtë temë, janë deklaratat e djeshme të Aleksandar Pandovit dhe Zv/Kryeministrit Mexhiti ku qartazi potencuan se faji për arratisjen dhe informacionet se si është arratisur Ramadani duhet të kërkohen në MPB. A ka pilot në aeroplanin e Qeverisë? Derisa Mickoski po mundohet ta gënjejë opinionin se faji është tek gjykata, mbështetësi i tij besnik Pandovi thotë se është në MPB. Kush gënjen këtu? Mickoski pas shumë skandaleve ende po mbron Toshkovskin që demonstron paaftësi të tmerrshme dhe duhet të dorëhiqet”, thonë nga LSDM.

Këshilli Gjyqësor dje miratoi vendimin për formimin e një komisioni të posaçëm që duhet ta konstatojë situatën faktike lidhur me vendimet që para arratisjes së Ramadanit nga arresti shtëpiak, i kishte miratuar Gjykata Themelore Penale – Shkup. /tvklan.mk

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share