Edhe pse armëpushimi në Sudan është zgjatur me 3 ditë, luftimet vazhdojnë në kryeqytetin Khartoum. Zgjatja me 72 orë të tjera pason përpjekjet intensive diplomatike nga vendet fqinje, si dhe SHBA, MB dhe OKB.
Armëpushimi pritej të përfundonte në mesnatë me orën lokal. Mbrëmjen e së enjtes, ushtria e rregullt sudaneze ra dakord për një zgjatje, dhe rivali i saj, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) ndoqën shembullin disa orë më vonë.
Sudani i Jugut ka ofruar të presë bisedimet e paqes dhe ushtria ka rënë dakord të dërgojë përfaqësues në bisedime. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Uashingtoni po punonte shumë për të zgjatur armëpushimin, duke shtuar se megjithëse i papërsosur ai kishte reduktuar dhunën. Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha se situata mund të përkeqësohet në çdo moment.
Armëpushimi i vendosur më parë në Sudan, lejoi mijëra njerëz që të ikin nga vendi, ndërsa dhjetëra vende janë përpjekur që të evakuojnë qytetarët e tyre nga Sudani. Pothuajse 2 javë luftime midis ushtrisë dhe një grupi rival paraushtarak kanë sjellë qindra viktima.
Të paktën 512 njerëz janë vrarë në luftime dhe pothuajse 4200 janë plagosur, megjithëse numri real i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se priste të kishte shumë më shumë vdekje për shkak të shpërthimeve të sëmundjeve dhe mungesës së shërbimeve në Sudan./tvklan.al