Optimizmi i Joe Biden, i cili deklaroi më herët gjatë ditës se një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit është shumë pranë, duket se nuk aprovohet nga grupi militant që vepron në Gaza. Sipas një zëdhënësi të Hamasit që foli për Sky News optimizmi i shprehur nga Biden është vetëm një përpjekje për të mbajtur të qeta fuqitë armiqësore dhe nuk ka pasur “asnjë përmirësim“.
Presidenti amerikan u tha gazetarëve të premten se ishte optimist dhe se ka vetëm disa çështje të mbetura që negociatorët e SHBA, Katarit dhe Egjiptit duhet të zgjidhin midis dy palëve.
Por duke folur për Sky News, zëdhënësi i Hamasit në Liban Dr. Ahmad Abdulhadi tha se kjo “nuk është e vërtetë”.
“Administrata Biden po përpiqet të tregojë se mjedisi është pozitiv. Por raundi i parë tregoi se nuk ka përmirësime. Ndërmjetësuesit na thanë se pikat e mosmarrëveshjeve nuk janë zgjidhur dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shtoi më shumë kushte për të dhe e bëri atë edhe më të komplikuar”, deklaroi ai.
Abdulhadi shtoi se pretendimet e Biden bëhen vetëm që “të mbahet i qetë Boshti i Rezistencës për të mos çuar Lindjen e Mesme në një luftë rajonale duke e ndaluar atë që të përgjigjet për vrasjen e liderit politik të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran”.
Dy qëndrimet e ndryshme për ecurinë e negociatave të paqes në Doha vijnë në mes të tensioneve në rritje në rajon dhe teksa sulmet e reja izraelite u raportuan sot në Liban, Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Në Gaza u godit një shtëpi dhe një magazinë që strehonte njerëzit e zhvendosur në Zawaida, duke lënë të vdekur 18 palestinezë, përfshirë një familje prej 15 anëtarësh.
Ndërkohë, ministria e shëndetësisë në Liban raportoi se të paktën 10 persona, përfshirë një nënë dhe dy fëmijët e saj, u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën pasi Izraeli goditi një ndërtesë banimi në qytetin jugor të Nabatieh.
Forcat e Mbrojtjes izraelite thanë se po verifikonin raportin për viktimat në Gaza dhe pretenduan se kishin në shënjestër një objekt magazinimi të armëve të Hezbollahut në Liban. Radio e ushtrisë izraelite konfirmoi gjithashtu se katër persona u vranë në një sulm ajror në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor.