Zëvendëskryetari i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha në Klan Debat rrëfeu se janë vënë urat e komunikimit me Alternativën. Komunikimet, sipas tij, kanë filluar mes deputetëve në Kuvend e mandej edhe takim mes kryetarëve të dy partive. Megjithatë, Hoxha theksoi se ende nuk ka diçka konkrete në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm.
“Janë vendosur urat e komunkimit. Është diskutuar e debatuar në organet partiake dhe është parë si e nevojshme se duhet t’i jepet shans për të pasur njëfarë lloji bashkëpunimi apo bashkëveprimi opozitar. Por është një proces që zgjat dhe nuk është diçka që mund brenda natës të hapet dhe të mbyllet. Prandaj kjo temë do të mbetet e hapur mesiguri derisa të mbahen zgjedhjet parlamentare, qofshin ato të rregullta apo të parakohshme”, deklaroi Arjanit Hoxha./KlanMacedonia