SULMET E ARINJVE ME PËRMASA SHQETËSUESE
Para dy ditësh, ariu ka mbytur dhe ka ngrënë disa dele, pasi kishte hyrë në vathën e deleve afër fshatit Raven të Gostivarit – ka njoftuar Qendra për Menaxhim me Kriza. Rasti është denoncuar të mërkurën në mbrëmje.
Video-xhirimet e QMK-së që dëshmojnë për sulmin, tregojnë dëmet e shkaktuar nga ariu.
Pas denoncimit të rastit, në terren kanë dalë ekipe të Stacionit Policor – Gostivar, kurse pas konstatimit të situatës, hapa tjera duhet të ndërmarrin ministritë përkatëse, institucionet, ndërmarrjet publike dhe Komuna e Gostivarit.
Ndryshe, rastet e shpeshta të paraqitjes së arinjve nëpër vendbanime, veçanërisht në pjesën veriperëndimore të vendit, po marrin përmasa shqetësuese.
Gjuetia e arinjve është e ndaluar rreptësisht. Por, arinjtë janë shumuar ndjeshëm veçanërisht në Parqet Kombëtare “Mali Sharr” dhe “Mavrovë”.
Situatë më alarmante u paraqit në fshatin Zhirovnicë të Komunës Mavrovë – Rostushë, kur gjatë verës dhe vjeshtës së kaluar arinjtë kishin sulmuar kafshë shtëpiake, kurse pati edhe raste kur ishin përpjekur të hyjnë nëpër shtëpi.
Një rast tjetër u shënua në fshatin Omoranë të Komunës së Çashkës, kur ariu sulmoi dhe lëndoi një blegtor.
Lëndime mori edhe një turist nga Danimarka, I cili në Kodrën e Diellit u sulmua nga ariu.
Arinjtë janë parë edhe nëpër rrugët e pjesës veriperëndimore të vendit, kurse kishte raste kur ishin shkelur nga makinat.
Qeveria miratoi masa duke rekomanduar pastrimin e deponive të egra që të mos tërheqin arrinjtë.
Në seancë qeveritare, ministritw përkatëse, ishin ngarkuar që të përgatisin plan për zgjidhjen e problemit. /tvklan.mk/