Arifi: Nuk kam pasë ftesë as edhe kontakt për takim me Bislimin dhe Nagavcin

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se ata nuk kanë pasur ndonjë ftesë për takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të cilët e kanë vizituar Luginën e Preshevës sot.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet të shkaktojnë ndarje te shqiptarët në Preshevë, duke mos u takuar me të gjithë përfaqësuesit politikë atje.

“Nuk ka pasur as kontakt me neve, as koordinim për agjendën e kësaj dite, është për keqardhje dhe shqetësuese. Këto nuk janë politika të Qeverisë së Kosovës, këto janë politika të Lëvizjes Vetëvendosje në Qeverinë e Kosovës. Në këtë kontekst, në këtë situatë që shqiptarët e kalojnë nën diskriminim të Serbisë, duhet të kalojë edhe nga Qeveria e Kosovës, e cila për ne po përçan. Komuna e Preshevës është thelbi i Luginës së Preshevës, ata e kanë nënçmuar çdo shqiptar në Preshevë, pasi nuk kanë ardhur këtu”.

“Kjo flet për një politikë të një partie në shtet, që është shqetësuese për mua edhe duhet të jetë shqetësuese për çdo anëtar të LVV-së se si munden ta bëjnë këtë qasje ndaj Luginës me muaj tani. Mua nuk më ka kontaktuar askush, është amaterizëm protokollar ose është tendencë ideologjike edhe politike, është paprecedentë. Në Luginën e Preshevës, as në kohën e Qeverisë Rugova, dhe as kohën e Qeverisë Thaçi nuk ka ndodhur kjo çka po ndodh, për mua është shqetësuese kjo çka po ndodh, është nënçmim për të gjithë ne që në këtë formë qaset një qeveri, që është e papërshkrueshme”, ka thënë Arifi, njofton KlanKosova.tv.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share