Argita Malltezi përshëndet mbështetësit e Berishës: Ky është vetëm fillimi, betejën do ta fitoni

Argita Malltezi, vajza e ish-Kryeministrit Sali Berisha, ka përshëndetur simpatizantët e babait të saj të cilët ishin mbledhur poshtë pallatit ku banon kreu i Partisë Demokratike në shenjë mbështetje.

Në fjalën e saj të shkurtër përpara tyre që ishin grumbulluar në rrugën “Mustafa Matohiti”, Argita Malltezi tha se të nisësh vitin në këtë mënyrë ëstë e vështirë por edhe motivuese.

Ajo u shpreh e bindur në fitoren e betejës së demokratëve.

“Ju falenderoj shumë për pjesëmarrjen tuaj, për ardhjen dhe gjithë angazhimin tuaj këto ditë të para të Vitit të Ri, që nisën Vitin e Ri në barrikadën e luftës për fitoren e pluralizmit, për mbrojtjen e pluralizmit. Të nisësh Vitin e Ri me një sfidë të tillë është e vështirë, por është gjithashtu shumë motivuese. Do fitojmë padiskutim. Asnjë diktator nuk i përballet dot shpirtit tuaj të lirë, nuk ka pranga sistemi që mund të burgosin lirinë tuaj dhe ju jeni misionarët e kësaj lufte që nga kjo rrugicë do të shtrihet në gjithë rrugët dhe rrugicat e Shqipërisë. Ky është vetëm fillimi dhe kjo është beteja që ju do ta fitoni. Ju do të jeni misionarët e kësaj lufte që do të kapilarizohet në gjithë vendin. Ju falenderoj shumë dhe ju uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe me fitore. Jam e bindur që Zoti këtë vit ka plane shumë të bukura për Shqipërinë dhe do të shpërblejë të gjithë demokratët për luftën e tyre dhe për qëndresën e tyre”, u shpreh Argita Malltezi.

Kryetari i PD Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie me vendim të Gjykatës së Posaçme.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share